MaqedoniTop Lajme

“Rritja e pagave”, për funksionarët shteti ka pare, por jo edhe të tjerët!

Shpërndaje

Për rritjen e pagave të funksionarëve që taksapaguesve për një viti do tu kushtojnë 15,6 milion euro, tani më janë gjetur mjete nga buxheti i shtetit, kurse për rritjen e pagave të sektorëve publike nuk ka para të mjaftueshme aq sa kërkohet. Nga Ministria e Financave nuk tregojnë nga cila dispozitë e buxhetit të këtij viti u ndanë mjetet që 1060 funksionarëve të shtetit ua rritën pagat për 78%.

Ministri Fatmir Besimi, tregoi se paga e tij është rritur për 890€ që tani pagën bazë e ka 2.050 euro. Por thotë se po tu rritën të gjithë të punësuarëve në sektorin publik pagat do të rritej borxhi publik dhe patjetër duhet pritur miratimin e Ligjit të ri të Pagave për harmonizimin e tyre sipas hierarkisë në shtet.

“Në hartimin e projektligjit të ri të pagave, ne si Ministri e Financave marrim pjesë në vlerësimin se çfarë implikime financiare mund të ketë në buxhet dhe metodologjinë e pagesës së tyre të qëndrueshme për gjitha vitet buxhetore që pasojnë. Por, harmonizimi i pagave në Këshillin Socio-Ekonomik do të zgjasë më shumë, duke kaluar edhe fazat e debatit publik, ndërsa metodologjia për rritjen e pagave mund të miratohet më shpejt krahas marrëveshjeve kolektive”, thonë nga Ministria e Financave.

Sipas resorit të thesarit të shtetit 12% e buxhetit sivjet shpërndahet për paga në sektorin publik ose 34,9 miliard denarë, andaj përpjekjet e tyre janë që vitin e ardhshëm me rritjen e BPV të rriten edhe pagat dhe mos të merret borxh për të paguar nëpunësit shtetëror dhe administratën publike pa e vlerësuar rritjen e produktivitetit të tyre në punë. Kjo nënkupton se përveç rritjes prej 2,000 denarëve që u bë tek administrata publike, nëpunësit shtetëror, mjekët, arsimtarët dhe segmentet tjera, një rritje e re mund të shpresohet vetëm me sjelljen e Ligjit të ri të pagave apo edhe marrëveshjeve kolektive.

Nga Ministria e Administratës dhe Shoqërisë Informative, e cila është bartëse e Ligjit të pagave thonë se brenda këtij vitit ky projektligj do të dorëzohet në Kuvend. Nuk japin detaje se a do të ulën koeficientet aktuale të pagave të funksionarëve të cilat arrijnë deri në 4.5, por thonë se ato do të harmonizohen në përputhje me pozicionin që mos të ketë trupa rregullator në shtet me paga më të larta se të presidentit.

“Jemi duke hartuar projektligjin dhe brenda vitit 2023 do të kaloj gjitha filtrat për tu dorëzuar në Kuvend”, njoftojnë nga Ministria Administratës dhe Shoqërisë Informative.

Deri më tani asnjëri nga funksionarët nuk hoqi dorë nga rritja e pagave të tyre. Megjithëse paguhen për punën e njëjtë që bëjnë, disa thanë se do të solidarizohen që shumën e rritur ta japin donacion, por nuk kemi parë akoma raste konkrete. Përderisa Presidenti Pendarovski publikisht tregoi përllogaritjen e pagës me rritje, jo të gjithë krerët e shtetit u shprehën transparent, aq më pak funksionarët e tjerë. Madje Ministri i Bujqësisë Lupço Nikollovski tha se i ka humbur kartelat bankare dhe nuk di se sa ka rritje. Bile, zëvendëskryeministri Artan Grubi tha se po të ishte retroaktiv ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, do të duhej që nga viti 2012, për 11 vjet rresht tu paguheshin gjitha shtesat e mohuara sipas tij me kamatë.

Nga ekzekutivi nuk qajnë kokën për krizën ekonomike dhe financiare që ka dërrmuar qytetarët, dhe një rëndesë prej 15,6 milion eurove në vit u shtohet për ti paguar plus parinë e shtetit, pa u kërkuar vlerësimi i produktivitetit në punë, siç ata kërkojnë për tu rritur pagat në sektorin publik. /Alsat.mk