Maqedoni

Targa të reja ose ngjitës? Spasovski: S’kemi vendosur akoma!

Shpërndaje

Qytetarët ende në pritje të një vendimi nga Ministria e Punëve të Brendshme në qoftë se duhet t’i ndërrojnë targat e makinave me emrin e ri të shtetit ose jo. Dy muaj më parë ministri Oliver Spasovski tha se po shqyrtohet mundësia që në tabela vetëm të aplikohet një stiker ngjitës me kodin “NMK”.

“Edhe stikerët ngjitës janë një nga opsionet, mirëpo kur të sillet vendim ua komunikojmë qytetarëve. Për ne është më e rëndësishme qytetarët të jenë të kënaqur”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Ndonëse u tha se shumë shpejt do të sillet një vendim, ende nuk dihet nëse përfundimisht qytetarët do të mund të kursejnë 1.500 denarë, duke mos ndërruar tërësisht tabelat, por vetëm të vendosin ngjitës me kodin “NMK”.
E pyetëm edhe një herë ministrin Spasovski, por ai thotë se ende nuk është vendosur.

“Sa i përket pyetjes së pare për targat e regjistrimit, këto janë analizat dhe vendimet dhe ne do të shkojmë me atë që është më e favorshme për qytetarët në një moment të caktuar, domenthënë të shkojmë me ngjitëse për çdo targë regjistrimi, që të mos vijë deri te zëvendësimi i tërësishëm”, shtoi Spasovski.

Ky ndryshim duhet të ndodhë deri në shkurt të vitit të ardhshëm, me ndryshimin e emrit kushtetues të vendit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut. Këto ndryshime pritet t’i zbatojnë edhe 490 mijë pronarë të veturave në vend. Nëse do të vendosej me ndryshimin e targave, atëherë qytetarët do të duhet të paguajnë 1500 denarë për targat e reja, ashtu që buxheti do të mbushet për 12 milionë euro.