“Si 18 vjeçare arratiset në Siri”, babai: Do të bëja gjithçka që ajo të kthehet

Shpërndaje

IBRAHIMI: DO TË BËJA GJITHÇKA QË AJO TË KTHEHET

Gjithçka shkonte si duhet. Vajza e vetme në familje, po rritej në një shtet Evropian dhe me të gjitha kushtet.

– U fejua me një djalë prej Kumanovës atje në Belgjike ku jemi – thotë baba i 18 vjeçares, Tasim Ibrahimi.

E ndryshimet filluan kur erdhën në Maqedoni.

“Erdhëm këtu, filloj një ndryshim. Unë e hetova. Hynë në do rryma tjera. Kohë pas kohe vetëm u përforcoheshin këtu bindje. Nuk i pranon do gjëra, nuk pajtoheshin. Kishin qejf të jenë vet, me krejt do njerëz tjerë. Këta ishin të ri, unë besoj se vetëm shpëlarja e trurin ua ka bërë këtë”, rrëfen Tasim Ibrahimi.

Tasimi kishte ardhur në Shkup për disa ditë, e këtë kohë e kishin shfrytëzuar bija dhe dhëndri i tij për tu larguar.

Banesën e gjeta zbrazët. Kishin ikur. Pas dy ditëve kur arrita unë atje, me telefonuan, mos na kërko, jemi në Siri. Ne jemi për këtu. Tentime më herët nuk ka pasur. Shenja nuk ka pasur. Bisedime ka pas, por nuk këmbëngulnin që të shkojnë atje”, shton Tasim Ibrahimi.

Tasimi kishte tentuar ti bind që të kthehen, por ata asnjëherë nuk kishin menduar që ta bëjnë këtë gjë.

Pasi vajza 18 vjeçare u largua me të fejuarin e vet për në Siri, në dy vitet e para kontaktonte rregullisht me familjen. Por pas dy viteve, i fejuari i Fatlumes ishte vrarë në frontin e luftës, e ajo kishte mbetur e vetme.

Kontaktin e fundit me prindërit e kishte prej në Mosul, e prej atëherë, ka gati katër vite që nuk kanë dëgjuar më për të bijën.

“Unë kam qenë shumë i lidhur me të. Edhe nuk ka qenë një vajzë… Nuk ma ka marrë mendja që do të vijë dita se do hyjë në ato struktura. Sot i kisha thënë në qoftë se na dëgjon, lajmërohu. Unë bëj çmos. I kisha thënë që unë do të bëj çmos që ti të kthehesh këtu. Jam në gjendje të bëj gjithçka, ti vetëm kthehu”, përfundoi Tasim Ibrahimi, baba i 18 vjeçares.

Tasimi kishte shkuar derë më derë, në çdo institucion, në çdo organizatë për të kërkuar ndihmë, por deri më tani, askush nuk ka arritur t’ia sigurojë një informatë për vajzën e tij.
Sipas informatave zyrtare, mbi 150 shtetas të Maqedonisë kanë shkuar në Siri, e diku rreth 80 janë kthyer./KlanMacedonia/