Zbulohet arsyeja e distancës së madhe në takimin ndërmjet Macronit e Putinit

Shpërndaje

Presidenti francez Emmanuel Macron refuzoi të bënte një test rus për COVID-19 përpara takimit të tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ka konfirmuar Kremlini.

Testi kërkonte një protokoll shëndetësor që ishte i papranueshëm dhe nuk përputhej me orarin e liderit francez, ka bërë të ditur një burim francez për BBC. Ky veprim pason raportet se Macroni refuzoi testin PCR nga frika se rusët do të merrnin ADN-në e tij.

Macron dhe Putin mbajtën më pas një takim në distancë sociale.

Ata nuk shtrënguan duart dhe u ulën në dy skajet e një tavolinë katër metra të gjatë, gjë që bëri që shumë të pyesnin nëse Putini po e përdorte atë për të dërguar një mesazh diplomatik.

Por burimet diplomatike franceze i thanë Reuters se Macronit i ishte thënë të zgjidhte midis pranimit të një testi rus PCR për t’iu afruar Putinit ose respektimit të rregullave strikte të distancimit shoqëror.

“Ne e dinim shumë mirë që kjo do të thoshte mos shtrëngim duarsh dhe atë tryezë të gjatë. Por nuk mund të pranonim që ata të kapnin ADN-në e presidentit”, ka thënë një burim për Reuters.

Burimi nuk elaboroi se si shërbimet e inteligjencës ruse mund të shfrytëzonin ADN-në e Macron.

Kremlini konfirmoi se Macroni ishte mbajtur në distancë nga udhëheqësi rus sepse ai kishte refuzuar të bënte një test rus për COVID-19.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia e kupton qëndrimin francez dhe se kjo nuk ka ndikuar në bisedimet.

Macron kishte kryer një test PCR përpara se të largohej nga Franca dhe mjeku i tij kreu një test antigjeni pasi ata ishin në Moskë, tha një burim tjetër diplomatik francez për Reuters.