27 prilli, Gjykata Penale hedh poshtë kërkesat për amnisti
Gjykata Penale sot ka refuzuar kërkesën për amnisti të organizatorëve të dhunës në Kuvend më 27 prill, Trajko Veljanovski, Mile Janakievski, Spiro Ristovski dhe Vlladimir Atanasovski. I pari i trupit Gjykues në këtë lëndë, gjykatësi Ilija Trpkov potencoi se pas kërkesës së të akuzuarve për falje, duke u bazuar në ligjin e 2018-tës për Amnisti, ka marrë mendim edhe nga prokurori publik me çka edhe është vendosur që këto kërkesa janë të pabaza.
“Refuzohet si e pabazë kërkesa për amnisti, sepse nuk janë përmbushur kushtet e nenit 1, paragrafi 2, alineja 1 dhe 2 nga Ligji për Amnisti”, deklaroi Ilija Trpkov, gjykatës.
Meqë këta të akuzuar kanë të drejtë të ankohen për këtë vendim në Apel, gjykimi u shty për më 6 korrik. Për avokatin e mbrojtjes, Elenko Millanov gjykata me këto veprime diskriminon të akuzuarit duke mos i trajtuar njëjtë me deputetët tjerë, të cilëve më herët iu pranua kërkesa për Amnisti.
“Kërkesën e bazuam te Ligji për Amnisti, mirëpo dukshëm po vazhdon trajtimi i pabarabartë të qytetarëve të Maqedonisë. Ligji për Amnisti është zbatuar për pesë deputetë, mirëpo sot për deputetin Trajko Veljanovski i njëjti nuk vlen dhe ai dëshiron të trajtohet si person zyrtar. Mile Jakanievski nuk ka asnjë detyrë dhe nuk trajtohet ashtu si nga prokuroria u trajtua në sjelljen e konstatimeve pas sjelljes së këtij ligji për Amnisti. I akuzuari Spiro Ristovski, aspak nuk u gjend në atë hapësirë, aspak nuk ka asnjë detyrë zyrtare si zëvendës ministër në aspekt të sigurisë apo atë që ndodhë në seancat e Kuvendit, mirëpo as për atë në mënyrë selektive prokuroria nuk jep mendim pozitiv”, u shpreh Elenko Millanov, avokat.
Kryetari i mëhershëm i Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski si dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Vlladimir Atanasovski akuzohen për kryerje të veprës penale cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë.
Ata dy vite më herët nga Gjykata Penale u dënuan me gjithsej 25 vjet burg por në Prill të këtij viti nga burgu i ‘shpëtoi’ Gjykata e Apelit, duke ua shfuqizuar dënimet me burg nën arsyetimin se gjykata e shkallës së parë kishte kryer shkelje thelbësore gjatë procedurës gjyqësore. /Alsat