Ali Ahmeti mesazh Grupit të Zjarrit: “Nuk i zgjidh problemet kojshia, problemet i zgjidh shtëpia”

Shpërndaje

Në fjalimin e tij me rastin e 21-vjetorit të themelimit të BDI-së, kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti përçoi mesazh edhe deri tek Grupi i Zjarrit, përcjell TV21. Ahmeti thotë se të njëjtit nuk janë në të drejtë dhe se problemet e tyre, siç thotë ai, nuk zgjidhen te fqinjët, por në shtëpi.

“Ata bashkëveptimtarë nuk e kanë drejtë, dhe unë këtë e kam thënë botërisht. Unë botërisht e kam thënë se nuk kam asnjë shqetësim, por kam dhimbje shpirtërore. Me këtë fraksion, shpallje fraksioni, janë në aksion, nuk janë fraksion. Unë nuk dua të ketë grupe interesi në BDI, nuk dua të vendosen gjërat personale para të përgjithshmes. Asnjëherë nuk e kam ndalur fjalën e lirë, mendimin ndryshe në BDI. Por gjithmonë është debatuar është diskutuar brenda BDI-së, nuk na e zgjidh problemet kojshia, por problemet i zgjidh shtëpia, prandaj në shpi të qëndrojnë, e jo në kojshi”, tha Ahmeti./tv21.tv

Postimi i plotë:

Sot u bëmë masovikisht bashkë për të festuar jubileun e 21-të të ekzistencës së familjes së madhe të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Çastet festive si këto janë mbi të gjitha çaste reflektimi mbi ato të arritura kombëtare që i kemi bërë bashkë, me ç’rast dua të falënderoj çdonjërin nga aktivistët e BDI-së për kontributin dhe qytetarët për besimin e dhënë që të udhëheqim proceset më vitale.
Ashtu si kemi qenë bashkë gjatë gjithë këtyre viteve për faktorizimin tonë kombëtar dhe ruajtjen e orientimit properëndimor të vendit, le të përforcojmë akoma më shumë rrënjët e bashkimit drejt horizontit të Europës!
Urime 21 vjetori i themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim!