Presidenti Erdoğan në ceremoninë e inaugurimit: Filloi ‘Shekulli i Türkiyes’

Shpërndaje

Me fillimin e “Shekullit të Türkiyes”, rruga drejt ngritjes së Türkiyes është tani para nesh, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan në ceremoninë e inaugurimit të tij, raporton Anadolu.

“Türkiye hyri në një rrugë të re pas përfundimit të zgjedhjeve dhe shpalljes së rezultateve. Shekulli i Türkiyes ka filluar dhe dyert e rritjes së vendit tonë janë hapur”, tha Erdoğan në ceremoninë në kompleksin presidencial në Ankara, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të nivelit të lartë nga dhjetëra vende.

Më herët, Erdoğan bëri betimin e tij në parlamentin e Türkiyes.

“Shpresoj se ky mision i lartë do të jetë i mbarë për kombin tim, të cilit ia kam kushtuar jetën, për të gjitha pjesët e vendit tonë të zemrës dhe për njerëzimin. Shpresoj se nuk do ta zhgënjejmë kombin tonë të dashur që më besoi, partinë dhe aleancën”, tha Erdoğan.

“Nuk do t’ia zhgënjejmë besimin popullit, do të vazhdojmë të prodhojmë vepra dhe shërbime për Türkiyen”, theksoi ai.

Presidenti turk u zotua se do t’i përqafojnë të gjithë 85 milionë njerëzit e Türkiyes, pavarësisht nga pikëpamja e tyre politike, origjina dhe besimi.

“Do të vazhdojmë ta thurim së bashku ‘Shekullin e Türkiyes’ me kabinetin e ri”, tha Erdoğan.

Türkiye më 28 maj mbajti raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale pasi asnjë kandidat nuk siguroi më shumë se 50 për qind të votave të nevojshme për një fitore të plotë në raundin e parë më 14 maj.

Erdoğan fitoi garën me 52,18 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës Kemal Kılıçdaroğlu mori 47,82 për qind, sipas rezultateve zyrtare.

Po ashtu, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) e Erdoğanit dhe aleatët e saj fituan gjithashtu shumicën në parlament më 14 maj.