Escobar: Kurti nganjëherë është partner i vështirë, por ai është partner i yni

Shpërndaje

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se kryeministri Kurti dhe Kosova janë aleatë të SHBA-së. Në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, ka deklaruar po ashtu se kusht për depërshkallëzim janë që Kosova ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe që Serbia të mos e pengojë Kosovën për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor ka zbutur qëndrimet e tij për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pak ditë pasi kërcënoi se do të gjejnë “aleatë alternativë” dhe se “një njeri” nuk e ndal formimin e Asociacionit, Esobar tha se kryeministri Kurti dhe Kosova janë partnerë të SHBA-së.

“Z. Kurti është partner i yni. Nganjëherë është një partner i vështirë, por është partner. Kosova është partnere jona. Serbia është partnere jona. Pra, në të ardhmen dëshirojmë të përfitojmë nga marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe nga përmirësimi i marrëdhënieve që kemi me Serbinë”, ka thënë Escobari.

Në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi në Serbi, Escobar ka treguar se cilat janë parakushtet për depërshkallëzimin e situatës në veri.

Ka thënë se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e Serbia duhet të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Pra, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të shtensionuar menjëherë proceset, për të shtensionuar situatën dhe menjëherë të kthehemi me fokusin në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Për Serbinë kjo do të thotë t’i japë fund bllokimit të Kosovës drejt integrimit evropian dhe ndërkombëtar. Për Kosovën kjo nënkupton fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duhet të punojmë në të dy këto fusha”, ka thënë Escobari.

Gjatë javës presion për Asociacionin Kosovës i ka ardhur edhe nga shtetet e rajonit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka dërguar një draft te liderët e Gjermanisë dhe Francës për formimin e Asociacionit, për çka u kritika edhe nga Qeveria.

Edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka folur për situatën e krijuar në veri.

Në një intervistë për “Der Standard”, ai tha se Kosova duhet ta formojë Asociacionin, porse paraprakisht duhet të shpallen zgjedhjet e reja në komunat veriore.

“Sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it është absolutisht i papranueshëm. Në fund të fundit, këta ushtarë kanë bërë një punë mjaft të mirë në mbrojtjen e trashëgimisë së Kishës serbe në Kosovë, po ashtu ishte një lidhje e rëndësishme për popullin e Malit të Zi, pasi shumica e njerëzve në Mal të Zi janë gjithashtu besimtarë të Kishës ortodokse serbe. Për ta përmirësuar situatën duhen zgjedhje të reja në komunat veriore të Kosovës. Dhe Kosova duhet ta themelojë Asociacionin për komunat veriore”, ka thënë Milatoviq.

E profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, thotë se nuk dihet ende nëse spektri politik në Kosovë ka gatishmëri për formim të Asociacionit, porse formimi i tij do t’i relaksonte marrëdhëniet me SHBA-në e BE-në.

“Këtu është problemi i vetëm i Kosovës, të tjerat janë pasojë. Të tjerat nuk janë problem i Kosovës, janë problem të cilat Perëndimi nuk po e ka një gjuhë që ta zgjidhë problemin e Kosovës. Po Kosova e ka veç një obligim me e formua Asociacionin, nëse dëshirojmë me e formua, por kjo varet nga vullneti politik i elitës politike. Pra, nëse ka vullnet Kosova i rikuperon të gjitha problemet që i ka sidomos me ShBA dhe BE-në”, ka thënë Arifi.

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, që e ka në portofol dialogun, ka thënë se Kosova nuk duhet të bëhet kurban i përafrimit të Serbisë me BE-në e SHBA-në që po vjen si pasojë e sinjaleve që presidenti Aleksandar Vuçiq i ka dhënë për largim me Rusinë.

Kërkesa e Kosovës për sekuencim, sic ka thënë Bislimi, është që në dialog të ecet paralel me pikat që janë më të vështira për Kosovën edhe Serbinë–themelimi i Asociacionit në Kosovë dhe për Serbinë zbatimi i pikave të marrëveshjes me të cilat Serbia e njeh Kosovën “de facto”.