Dhjetëra mijëra protestues izraelitë kërkojnë lirimin e pengjeve të Gazës dhe zgjedhje të parakohshme (Video)

Shpërndaje

Dhjetëra mijëra njerëz mbajtën të shtunën protesta në gjithë Izraelin, duke kërkuar lirimin e pengjeve të mbajtur në Gaza dhe zgjedhje të parakohshme, raporton Anadolu.

Autoriteti izraelit i transmetimeve raportoi se protestuesit u mblodhën në sheshin Kaplan, duke bërë thirrje për një marrëveshje shkëmbimi pengjesh me fraksionet palestineze në Gaza dhe për zgjedhje të parakohshme.

Familjet e pengjeve të mbajtur në Gaza gjithashtu morën pjesë në protesta, duke mbajtur fjalime para demonstruesve.

Sipas gazetës izraelite Yedioth Ahronoth, në sheshin Kaplan shpërthyen përleshje mes policisë dhe protestuesve.

Mijëra izraelitë të tjerë u mblodhën gjithashtu në rrugën Begin përpara Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv.

Shumë njerëz demonstruan gjithashtu pranë shtëpisë së presidentit izraelit Isaac Herzog në Kudsin Perëndimor, duke kërkuar kthimin e të burgosurve në Gaza dhe duke bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, tha Yedioth Ahronoth.

Po ashtu, mijëra izraelitë protestuan pranë rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Cezare dhe mijëra të tjerë në Haifa.

Demonstratat në Izrael janë intensifikuar pasi një video e publikuar nga Brigadat Al-Qassam tregojnë dy pengje të mbajtur në Gaza duke kërkuar nga qeveria izraelite të bëjë një marrëveshje shkëmbimi pengjesh për të siguruar lirimin e tyre.

Në përgjigje të videos, familjet e pengjeve thanë në një deklaratë: “Izraeli duhet të zgjedhë midis (pushtimit) të Rafahs ose një marrëveshjeje (me Hamasin)”, raportoi gazeta izraelite Yedioth Ahronoth.

Familjet u kërkuan anëtarëve të qeverisë që të lirojnë pengjet e mbajtur në Gaza, edhe nëse kjo do të thotë përfundimi i luftës.

Tel Avivi beson se 134 izraelitë po mbahen në Gaza, ndërsa Izraeli mban rreth 9.000 palestinezë në burgjet e tij.

Izraeli ka vrarë më shumë se 34.300 palestinezë që nga një sulm ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin Tel Avivi thotë u vranë rreth 1.200 izraelitë dhe u morën rreth 250 pengje.

Në një marrëveshje të mëparshme në nëntor u bë lirimi I 81 izraelitëve dhe 24 të huajve në këmbim të 240 palestinezëve, duke përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.

SHBA-ja, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbetur izraelitë.

Konflikti ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme, krahas mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në janar nxori një vendim të përkohshëm që urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.