MaqedoniTop Lajme

Kovaçevski: Po të isha unë, do të jepja dorëheqje! Antikorrupsioni nga 2019 ka hapur lëndë për Merkon, por askush s’ka ndërmarrë gjë

Shpërndaje

Kryeministri nuk iu përgjigj pyetjes nëse në mënyrë të drejtpërdrejtë do të kërkojë përgjegjësi nga kryetari i Strugës, Ramiz Merko pasi i njëjti u gjend në listën e zezë të SHBA-ve për veprime kriminale dhe korrupsion, por tha se po të ishte në vendin i tij, vetë do të dorëhiqej. Kovaçevski tha se nuk ka biseduar me partnerin e tij të koalicionit, kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.

“Një funksionar që e kanë zgjedhur qytetarët, vetë duhet të mendojë, po ashtu edhe të gjithë këshilltarët e komunës së Strugës nga të gjitha partitë politike, për shkak se kryetari Merko në karrierën e tij ka qenë edhe pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE. Po të isha unë në listën e zezë të SHBA-ve, si njeri që një pjesë e arsimit të tij e ka mbaruar në SHBA-të, jo vetëm që do të jepja dorëheqje, por unë këtë do ta konsideroja dështim më të madh në karrierën time personale dhe profesionale”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Zv/kryeministri për çështje europiane Bojan Mariçiq mendon se me këtë çështje duhet të merren institucionet.

“Mendoj se duhet, me seriozitet ta shqyrtojmë këtë, institucionet tona të merren me këtë dhe çdo sinjal nga partneri ynë strategjik ta marrim me seriozitet, ndërsa rreth hapave politikë ose hapave institucional duhet të prononcohet partia prej ku vjen z. Merko dhe institucionet përkatëse. Patjetër se duhet ta marrim me seriozitet çdo sinjal që vjen nga partneri ynë strategjik“, tha Bojan Mariçiq, zv/kryeministër për Çështje Europiane.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski thotë se nuk duhet dikush tjetër të na tregojë se ka krim në Maqedoninë ku mbizotërojnë klane, diçka për të cilën ka konfirmim edhe nga Stejt departamenti amerikan.

“Kjo që erdhi nga Departamenti i shtetit vetëm është konfirmim i asaj që ne po e ndjejmë, kryetar i komunës dhe anëtar i kryesisë më të lartë të BDI-së, u vendos në listën e zezë për shkak se ata kanë prova për këtë. I vetmi që po e mbron Merkon është Dimitar Kovaçevski. Madje edhe BDI hesht, i vetmi që po e mbron është Dimitar Kovaçevski”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Për rastin me Ramiz Merko Komisioni antikorrupsion para 4 viteve hapi lëndë duke sugjeruar për veprime kriminale, por siç tha anëtari i Komisionit, Vlladimir Georgiev, askush nuk ka ngritur procedurë në lidhje me sugjerimet e Komisionit.

“Kjo aspak nuk është befasi, por befasi është se përsëri institucionet tona u lëkundën pasi dikush nga jashtë na tregon për gjendje të caktuara që edhe vetë ne i kemi konstatuar. Që në 2019 kur konstatuam një sërë abuzimesh në punën e tij si kryetar, kur këto sugjerimet tona i mbështetëm me raporte nga Enti shtetëror për revizion, askush nuk vepronte në lidhje me këtë”, u shpreh Vlladimir Georgiev, anëtar i komisionit Antikorrupsion.

Deri më tani nuk ka asnjë deklaratë nga kryetari Merko që u gjend në listën e zezë të SHBA-ve ku thuhet se vendimi është sjellë për shkak se kanë informacione të sigurta për përfshirjen e Merkos në korrupsion dhe ndikim në procese gjyqësore./tv21