Kurti: Kam dëgjuar se Jabllanoviq mori një million euro dhe dy banesa nga Beogradi për t’i bojkotuar zgjedhjet

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar politikanin serb, Aleksandar Jabllanoviq, për pranim ryshfeti nga Beogradi prej një milion eurosh dhe dy banesa për tërheqje nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të katër komunave veriore të Kosovës.

Kurti këtë e ka thënë në një video-adresim për serbët, teksa ka përmendur edhe deklarimet e Jabllanoviq dhe të Listës Serbe lidhur me Kurtin, shkruan Gazeta Insajderi.

“Mendova se të paktën Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara. Në prill, dy ditë para fitores së sigurt, kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd. Mund të mos jetë e vërtetë, por gjithsesi duhet të jetë presion i tepërt apo ofertë shumë luksoze, gjë që e bëri Jabllanoviqin të thoshte se “nuk do ta shutonte penalltinë””, deklaroi Kurti.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe, madje edhe Jabllanoviq, kanë thënë shumë për Kosovën dhe mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranoj ata si kryetarë komunash të ardhshëm. Fatkeqësisht, nuk kam as fuqi e as vullnet që t’i bëj të dalin në zgjedhje. Për momentin kryetar i komunës është Lulzim Hetemi deri në zgjedhjen e një të riu. Për këtë duhen zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë e hapur, e lirë, parazgjedhore në 4 komuna në veri. Pa një fushatë të ndershme dhe demokratike, nuk ka zgjedhje të ndershme dhe demokratike”, ka thënë më tej ai. /Insajderi.org/