MaqedoniTop Lajme

“Monstra” në duart e Supremes/ Ismailoviq kërkon drejtësi e jo mëshirë

Shpërndaje

I dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, Agim Ismailoviq, në fjalët e tij para Gjykatës Supreme kërkoi, siç tha, drejtësi e jo mëshirë, ndërsa Supremja do të duhet të vendose nëse aktgjykimi për 5 të dënuarit e rastit “Monstra” do të bëhet i plotfuqishëm ose lënda do të rikthehet në gjykim për herë të dytë. Avokati Naser Raufi pret që për klientët e tij të ketë edhe njëherë rigjykim pasi që ka sërë dëshmish që ky rast është tërësisht i montuar.

“Presim që edhe këtë radhë gjykata Supreme ta riktheje këtë rast pasi që në gjykimet e deritanishme kishim një pikë plus për mbrojtjen e kishim referimin e grupit të ekspertëve ku praktikisht ato konstatuan se ekspertizat janë falsifikuar. Ky grup konstaton se nuk ka pasur urdhër prej gjykatësit të hetimit për marrjen e provave, një punë e paparë deri tani edhe që këto prova të marra në dorë, pa urdhër të gjykatësit, ato nuk mund të jenë prova sipas ligjit për procedurë penale”- deklaroi Naser Raufi, avokat.

Edhe avokati Asmir Alispahiq pret vendim lirues për të dënuarit pasi siç thotë teoria e Prokurorisë nuk mund të mbijetojë me dy prova, të cilat janë dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur “E1” dhe deklarata e Haki Azirit gjatë hetimit.

“Nëse nuk e kemi dëshmitarin e mbrojtur (E1) dhe deklaratat e tij, shtrohet pyetja se si mundet të mbijetojë prapë një aktgjykim i tillë ku as gjykata e shkallës së parë e as të dytë ka vepruar sipas atyre udhëzimeve të qarta të Gjykatës Supreme. Në pikëpamjen e të ashtuquajturve dëshmitarë të rinj të cilët defiluan në procedurën e shkallës së parë, ata dëshmitarë vetëm në mënyrë shtesë dëshmuan se kjo lëndë duhet të fitojë aktgjykim të vetëm lirues, por fatkeqësisht as shkalla e parë e as e dytë nuk kishin guxim ta bëjnë.”- tha Asmir Alispahiq, avokat.

“Monstra” fillimisht u rikthye në gjykim në vitin 2017, ndërsa nga gjithë procesi i rigjykimit nga akuza u lirua vetëm Sami Luta. Ndërkaq për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës për veprën “terrorizëm” me burg të përjetshëm u dënua Alil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq, dy të parët ndodhen në arrati në Kosovë. Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë” ndërsa Haki Aziri me 9 vite burg, gjithashtu për “ndihmë”.