Sindikatat kërkojnë 78% paga më të larta për t’i dhënë fund kaosit në sektorin publik

Shpërndaje

Në sektorin publik ekzistojnë 200 forma të ndryshme të llogaritjes së pagave, me ligje, akte nënligjore apo rregullore të brendshme. Sindikata e Administratës, SPOGJ, kërkon që ky kaos t’i jepet fund. Por fundi nuk duket sepse autoritetet nuk mund të bien dakord për metodologjinë e re të llogaritjes së pagave. Sindikalistët këmbëngulin të përdorin të njëjtën praktikë si për zyrtarët me rritje deri në 78% pasi një pjesë e madhe e punonjësve në administratë me pagat aktuale nuk arrijnë të paguajnë as shpenzimet elementare në familje.

Por për çfarë nuk bien dakord sindikatat dhe autoritetet? Ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, thonë se kanë bërë të njëjtin propozim si 4 muaj më parë, por të zbatohet më herët, jo në mars të vitit 2024, por nga shtatori i këtij viti. Ndërkaq, kërkesa e SPOGJ-it në seancën e fundit të këshillit socio-ekonomik është propozuar që të zbatohet në vitin 2028.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, në 3 vitet e fundit mbi 3500 punonjës në sektorin publik kanë dhënë dorëheqjen dhe janë larguar në sektorin privat ose jashtë vendit. Pagat e ulëta ishin arsyeja kryesore e largimit. Nga ana tjetër, autoritetet thonë se sektori publik, veçanërisht administrata shtetërore, është e mbipopulluar me punonjës që nuk janë produktivë. Me rritjen eventuale të pagave, një ndër hapat pritet të jetë edhe risistemimi i tyre.