Struga do të vazhdojë të ketë kryetar “non grata” / Merko “bëhet i gjallë” në facebook, por nga komuna nuk heq dorë

Shpërndaje

Nuk dha dorëheqje nga karrigia e kryetarit të Strugës, por shprehu gatishmëri të ndihmojë organet e drejtësisë për të zbardhur të vërtetën për proceset që janë kundër tij. Pas pothuajse një jave heshtjeje për shpalljen e tij non grata nga SHBA-të, Ramiz Merko u bë i gjallë nëpërmjet Facebook-ut. Në shkrimin e tij e ripërsërit atë që javën e kaluar e tha zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, se i ngrin të gjitha aktivitetet në strukturat partiake, por funksionin si Kryetar i Strugës nuk e përmend kurrkund.

“Pas zhvillimit të fundit në lidhje me vendimin e Departamentit të Shtetit Amerikan, nuk kam dashur të komunikoj në të mirë të proceseve për të cilat do të jem i hapur si çdo herë në përkrahje të drejtësisë dhe për secilin proces në organet e drejtësisë nga ana e institucionit të Komunës së Strugës dhe nga ana ime do të dorëzohet në kohë sa më të shpejt ashtu siç kam qenë transparent çdo herë për organet e drejtësisë dhe gjithë institucionet e tjera”, ka shkruar Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës.

Ndërkaq institucionet e drejtësisë vazhdojnë të përplasen dhe t’ia hedhin fajin njëra-tjetrës për mos veprim ndaj lëndëve të Merkos. Këshilli Gjyqësor thotë se janë të pabazuara dhe të paargumentuara pohimet e Antikorrupsionit se Këshilli nuk ka vepruar dhe e ka fshehur rastin e Merkos. Kërkojnë dëshmi nga Antikorrupsioni se kur kanë reaguar mbi ndikimet e Merkos mbi kryetarin e gjykatës së Strugës lënda ka qenë ende aktive.

“Këshilli Gjyqësor i bën thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsioni që të paraqesë prova se parashtresa është pranuar me të vërtetë nga Këshilli Gjyqësor në vitin 2018, kur afatet për veprim ishin ende në rrjedhë. Është befasues fakti që Antikorrupsionit iu deshën madje 2 vite që të reagojë me urgjencë për rastin e përmendur dhe shtrohet pyetja se përse nuk ishin të interesuar për të kërkuar përgjigje nëse është vepruar”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.

Këshilli informon se gjatë ditës së nesërme një komision tre anëtarësh i udhëhequr nga anëtari Milazim Mustafa do të vizitojnë gjykatën Themelore të Strugës për të biseduar me gjykatësit nëse kanë pasur çfarëdolloj presioni. Pas vizitës do të përgatitet edhe raport dhe i njëjti do të prezantohet para Këshillit gjyqësor dhe opinioni publik. Edhe Prokuroria Republikane njoftoi se ka dërguar kontrolle në Prokurorinë themelore të Strugës për të parë se si kanë vepruar prokurorët në lëndët e Merkos.