Takim i ri në Tiranë, Rama: Kurti është i ftuar edhe pse BE mund të mos e ftojë

Shpërndaje

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin me mandat teknik të Malit të Zi Dritan Abazoviq, foli edhe për takimin në Tiranë për Procesin e Berlinit.

Ai tha se do ta ftojë kryeministrin Albin Kurti edhe nëse vendet tjera mund të mos duan ta ftojnë. Rama tha se Kurti në Tiranë është në shtëpinë e tij dhe se mund t’i hyjë garës edhe për t’u bërë i zoti i shtëpisë.

“Në takimin e Tiranës, pavarësisht se cili është qëndrimi i Bashkimit Europian, pavarësisht se cilat janë qëndrimet e vendeve të tjera, në takimin e Tiranës, për Procesin e Berlinit kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar dhe dëshiroj që të jemi të gjashtë, bashkë aty për tej faktit që mund të mos jetë i ftuar apo mund të mos duan ta ftojnë në vendet e tjera. Në Tiranë Albin Kurti është në shtëpinë e vet – ku siç e dini – madje mund të futet edhe në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë. S’ka asnjë problem”, tha Rama në Mal të Zi.