Vetëvendosje: Lirimi i sulmuesve të gazetarëve, inkurajim që ta vazhdojnë avazin e vjetër

Shpërndaje

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, e ka konsideruar të çuditshme mënyrën se si është marrë vendimi për lirimin nga paraburgimi të tre serbëve që sulmuan gazetarët në veri.

Sipas tij, këto lirime janë inkurajim që këta sulmues të vazhdojnë njëjtë, e që atyre t’u bashkohen edhe individë të tjerë.

“Ata nuk janë persona që rastësisht janë gjendur në problem apo raste të izoluara, por aktivisht dhe në mënyrë të organizuar janë të përfshirë atje. Është vërtetë e çuditshme mënyra si është marrë vendimi për lirim të këtyre personave veçanërisht me dorëzani kur Kodi Penal ka dhjetëra opsione tjera në këto raste. Këto lirime do të jenë vetëm inkurajim që ata të vazhdojnë avazin e vjetër, ndërkaq për të tjerët stimulim për t’u përfshirë në këto raste/grupe”, ka shkruar ai në Facebook.

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kanë thënë se vendimet për ndryshimin e masës nga ajo e paraburgimit në atë të dorëzanisë janë marrë në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Vënien para drejtësisë të serbëve të dyshuar për sulm ndaj gazetarëve ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e konsideronte të paalternativë.

Por, të enjten, në Ministrinë që ai drejton zgjodhën të heshtin karshi lirimit të tre serbëve të dyshuar.

“Duke njohur bashkërisht përgjegjësitë e institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës, specifikisht në rastet të cilat i përmendni edhe ju dhe vendimet të cilat i ka marrë Gjykata, mirësisht kërkojmë nga ju që pyetjet t’i dërgoni tek organet përkatëse që kanë marrë vendimet për lirimin e tyre”, pat thënë Norë Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme.