Albulena Haxhiu del me videomesazh për Prokurorinë Speciale: Për çfarë dhe për kë po punoni?

Shpërndaje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është paraqitur me një video-mesazh nga Komuna e Vushtrrisë.

E pozicionuar në një nga pronat e Ministrisë së Drejtësisë, Haxhiu ka pyetur se për çfarë dhe për kë është duke punuar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Haxhiu ka thënë se ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-drejtori i burgjeve kishte dhënë pronën publike në shfrytëzim për 10 vjet një personi fizik në kundërshtim me ligjin.

“Nga të gjeturat e auditorit të brendshëm kemi gjetur se kontrata është lidhur pa asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore. Pas raportit të auditorit kemi anuluar njëanshëm kontratën e auditorit dhe vendimi ynë është vërtetuar i drejtë dhe i ligjshëm nga Gjykata Themelore në Mitrovicë”, ka thënë ajo në video-mesazh.

Më tutje, ministrja Haxhiu ka bërë me dije se kanë bërë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ish-ministrit të Drejtësisë dhe ish-drejtorit të burgjeve, por që është hedhur poshtë me arsyetimin se nuk ka shkelje.

“Prokuroria Speciale ka marr vendim për hedhjen e kallëzimit penal me arsyetimin që nuk ka shkelje penale Në vend se prokuroria të merret me ata që kanë shkelur ligjin dhe kanë dëmtuar interesin publik, ata kanë zgjedhur të merren me auditorin e brendshëm që ka mbrojtur pronën publike”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se kanë bërë edhe shumë denoncime në polici dhe prokurori, por deri më tani nuk asnjë lëvizje nga ana e institucioneve.