Britania e Madhe vlerëson marrëveshjen me Shqipërinë

Shpërndaje

Kryeministri britanik Rishi Sunak ka bërë një bilanc pozitiv të marrëveshjes që arriti në muajin Dhjetor të vitit te kaluar për frenimin e azilkërkuesve shqiptarë që përdorin kalimin illegal me varka në ngushticën e La Manshit.

“Ne gjithashtu kemi negociuar një marrëveshje me Shqipërinë, që na ka ndihmuar tashmë të ulim mbërritjet prej andej me 90%.”

Bazuar në marrëveshjen mes të dy shteteve të gjithë shqiptarët që hyjnë në Britanine e Madhe me rrugë të paligjshme po rikthehen menjëherë pa iu nënshtruar procedurave të azilit. Në fjalën e tij në parlament asokohe Sunak pati deklaruar se Shqipëria është një vend i sigurt dhe i begatë ndaj duhet që të kthehen sa më shpejt në vendin e origjinës.

Pak ditë më parë Britania e Madhe nisi që të zhvendosë dhjetra emigrantë, drejt platformave lundruese në brigjet e saj jugore, si pjesë e planeve për të kursyer fondet financiare që paguheshin deri tani për strehimin e tyre nëpër hotele një shumë prej 7.6 milionë Dollarësh në ditë. Më shumë se 50.000 azilkërkues po jetojnë aktualisht nëper hotele. Emigrantët e jashtëligjshëm mund të dënohen me deri 5 vite burg, sipas ligjit të ri të miratuar në Qershor 2022 për ata që shkelin kufijtë britanikë. –

Vendimi për zhvendosjen e azilerkërkuesve ka ndarë komunitetet lokale, me disa që e cilësojnë çnjerëzore kushtet e strehimit për këta njerëz të pashpresë që vijnë nga vende si Iraku, Irani, Siria, Shqipëria dhe Afganistani.