Rajoni

“Hajgare për besë”, Bajqinovci – Kadrijajt: E quajtët Radojçiqin mik shtëpie, Kurti ua shpalli terroriste organizatat e tij

Shpërndaje

Deputeti i VV’së, Mefail Bajqinovci e quan “hajgare” deklaratën e deputetës së AAK-së ku sot kërkoi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bëjnë hetim ndaj kryeministrit Kurti, pasi sipas saj, dyshohet se iu shërben agjendave armiqësore.

Bajqinovci në një prononcim për GazetaBlic potencoi se, kryeministri Kurti e shpalli terroriste organizatën e Radojçiqit, që siç thotë ai, AAK-ja e quante mik shtëpie.
“Këta që mik shtëpie e quanin Radojciqin e tash që Kurti ua shpalli terroriste organizatat qe i kontrollonte ai e nuk kanë më vend në Republikën e Kosovës na paskan ardhë me nje ide të tillë”, tha ai.

“Kjo është hajgare për besë”, tha Bajqinovci për GazetaBlic.

Kujtojmë se, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se aleatët e Kosovës duhet të iniciojnë hetim të pavarur ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili sipas saj, i shërben agjendave armiqësore.

Kadrijaj ka thënë se me kohë AAK ka ngritur këto dyshime për Kurtin.

“Ka kohë që AAK ka ngritur dyshimin rreth mundësisë që Kurti i shërben agjendave armiqësore. Thirrje publike për aleatët tanë – ShBA-të, që të inicojnë një hetim të pavarur rreth këtyre temave!”, ka shkruar Kadrijaj./GazetaBlic.