Pas vrasjes së gruas në QKUK, reagojnë Kurti dhe Osmani

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për rastin e vrasjes së shtatzënës 35-vjeçare në oborrin e QKUK-së, duke e quajtur këtë krim makabër e çnjerëzor.

Osmani ka thënë se sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, percjell albazone media.

“Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.

Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës”, ka shkruar Osmani.

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për rastin e vrasjes makabre që u krye në oborrin e QKUK’së, ku u vra një 35-vjeçare shtatzënë. I dyshuar për vrasje është ish-bashkëshorti i saj.

Kurti e ka quajtur këtë vrasje mizore, duke shtuar se kjo është e papranueshme dhe e padurueshme.

“Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, ka shkruar Kurti.