Këshilltari i Kurtit i përgjigjet reagimeve për vizitën në Shkup dhe Tetovë

Shpërndaje

Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti i është përgjigjur reagimeve të zyrtarëve të pushtetit në Maqedoninë e Veriut lidhur me vizitën e kryeministrit të Kosovës në Shkup dhe Tetovë.

Ja përgjigja e plotë:
Reagimet e Zyrës së Kryeministrit Kovaçevski, kreut të qeverisë LSDM/BDI/ASH e përbërë nga 10 a 11 ministra shqiptarë, dhe të Presidentit Pendarovski ndaj vizitës së Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, na tregojnë se sa shtetformues janë 35% e shqiptarëve karshi 54% e sllaomaqedonasve në Maqedoninë e Veriut.

Në fakt, shqetësimi i Kovaçevskit për vizitën e kryeministrit Kurti nuk është “ikonografia dhe vendosja e flamujve të një shteti të huaj”;

as Pendarovski i cili nuk bëhej dot president pa votat e shqiptarëve, nuk e ka shqetësimin, që e shprehu përmes Facebookut vetëm në gjuhën sllavomaqedonase, për ndryshimin e emrit të një rruge në Çairin tërësisht shqiptar me emrin e luftëtarit për liri dhe laureatit të çmimit Saharov Adem Demaçi;
as Diaspora e Bashkuar Maqedonase nuk e ka hallin te “Grushti kulturor ndaj shtetit” dhe kërkoi që Albin Kurti të shpallet “Non Grata” në MV;
as BDI, LSDM, VMRO nuk e kanë shqetësimin te simbolika apo forma e vizitës së kryeministrit të Kosovës, në një kohë që nuk është as fushatë zgjedhore,

shqetësimi real i gjithë këtyre, makthi i tyre që po i tmerron ditë e natë, është vetëm mbështetja masive të cilën e gëzon sot figura e Albin Kurtit këtu në mesin e shqiptarëve të këtyre trojeve.
Potenciali politik i tij u trazon rehatin stabilokratëve gjithë antishqiptarëve jo vetëm në Maedoninë e Veriut. Dhe, duhet thënë, ata duhet vërtet të shqetësohen e të mos flenë rehat derisa shqiptarët trajtohen në tokën e tyre si qytetarë të dorës së dytë.