MaqedoniTop Lajme

Për rendin e ditës votuan 70 deputetë VMRO-DMPNE-ja i gëzohet mungesës së numrave

Shpërndaje

Kuvendi me një orë vonesë nisi seancën, e jashtëzakonshme për këtë periudhë pushimesh këtë vit për ndryshimet kushtetuese, të cilat synojnë që t’i hapin rrugën vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi në nisje sqaroi procedurat e debatit dhe nxori menjëherë në votim rendin e ditës.

TALAT XHAFERI, KRYETAR I KUVENDIT

“Rendin e propozuar të ditës e vë në votim. Ju bëj thirrje të votojmë……….Gjithsej votuan 117 deputetë, për votuan 70 deputetë , kundër 47 deputetë. Nuk ka të përmbajtur. Konstatoj se u miratua rendi i propozuar i ditës ”

Votimi i vetëm 70 e jo 80 deputetëve për rendin e ditës entuziazmoi opozitën maqedonase.

Ndërkohë në një fjalim para deputetëve kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se që nga pavarësia e shtetit fokusi i Maqedonisë së Veriut ka qenë gjithmonë eurointegrimi.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Propozimi për plotësimin e Kushtetutës ka një relacion dhe motiv të vetëm, që është anëtarësimi në BE. Kjo kërkohet dhe pritet nga shumica e qytetarëve në vend. As më shumë e as më pak. Propozimi është i joni, maqedonas. Propozimi është i bazuar në propozimin e BE-së dhe marrëveshjen e vitit 2022, me të cilin shteti pas pritjes shumëvjeçare përfundimisht hapi negociatat për anëtarësim. Propozimi është shkruar këtu në Shkup. Propozimi debatohet në Kuvendin tonë dhe për këtë arsye me përgjegjësi të plotë i hedh poshtë tezat e rreme dhe të pavërteta se ekziston diktat nga dikush për çfarëdo qoftë. Ekziston vetëm mundësia e tanishme, e jona dhe historike”.

Kryeministri Kovaçevski tha se kjo është dita kur duket qartë kush ia do të mirën e vendit e kush jo.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Sot është dita kur do të bëhet e qartë kush vërtetë dëshiron që vendin ta shoh në BE e kush e bllokon ardhmërinë evropiane të gjeneratave të sotme dhe të ardhshme. Kush do të angazhohet që shteti të shkojë para e kush përmes arsyetimeve do t’i shmanget përgjegjësisë para qytetarëve. Sot është dita kur do të shihet a do të ikin ata që ikën dhe bllokuan edhe deri më tani apo do të heqin dorë dhe do të japin votën për të ardhmen evropiane të shtetit dhe qytetarëve”