Pronat e konfiskuar të Mijallkovit dalin në ankand

Shpërndaje

Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar ka publikuar shpallje për një pjesë të pasurisë së konfiskuar të ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov. Ankandi është caktuar për 25 gusht.

Shpallja është publikuar në ueb faqen e Agjencisë, në kohëzgjatje prej 15 ditëve, afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është deri më 23 gusht.

Bëhet fjalë për pasurinë e paluajtshme të konfiskuar të ish-kreut të DSK-së nga rasti “Perandoria”.

Ofrohen për shitje dy banesa në Ohër, njëra prej të cilave është 65 metra katrorë me vlerë të llogaritur prej 5.775.234 milionë denarë, nga Byroja për ekspertizë ligjore, ndërsa tjetra në të njëjtin objekt prej 114 metrash katrorë me vlerë 9.032.505 denarë, si dhe tokë prej 56.818 metra katrorë afër Moranës në komunën e Studeniçanit në Shkup, me vlerë fillestare prej 17.045.421 denarë dhe një parcelë e vogël prej 321.81 metra katrorë afër vendit të quajtur Xhibaricë në Kozhuf, me vlerë 29.686 denarë.

Vlera totale arrin rreth gjysmë milioni euro.

“Të drejtë për pjesëmarrje elektronike në ankand publik kanë të gjithë personat fizikë dhe juridikë, përveç të dënuarit, nga i cili është konfiskuar pasuria e paluajtshme, punonjësit e Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, si dhe person tjetër që ka marrë pjesë zyrtarisht në procedurën e shitjes”, thuhet në një nga kushtet në shpalljen e publikuar nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar.