Besa Maloku, vajza shqiptare me mbulesë shkencëtare e shquar në Zvicër

Shpërndaje

Besa Maloku vlerën e arsimit e mësoi bashkë me shkronjat e para në shkollë si refugjate. Këtë muaj ka filluar punën në kompaninë “Lonza”, si shkencëtare. Rruga mes këtyre dy etapave ka një histori në mes.

Liria për të pyetur është baza ku nis suksesi i saj. Besa kureshtjen e shprehte kudo, në shkollë, në shtëpi e kudo ku shkonte. Natyra në vendlindjen e babait e nxiti kureshtjen për natyrë. Për të gjithçka ishte më e lehtë sepse vinte nga një familje ku të dy prindërit ishin arsimtarë. Studimet e saj lidhen me Iowa ku fitoi bursë dhe pastaj zgjodhi të studiojë biokimi në Universitetin e Zurich-ut. E gjitha për potencialin për t’i ndihmuar njerëzit. Për tu pranuare në kompaninë framaceutike – Lonza ajo mposhti kandidatë nga vende të ndryshme të botës. Besa për AkademiPune e zbërthen formulën e saj të suksesit.

AkademiPune: A na tregoni pak më shumë për Besën, kush është Besa, ku ka lindur dhe cilat kanë qenë hapat e parë të shkollimit?

Besa Maloku: Kam lindur dhe jam rritur në Prishtinë, ku kam përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm. Hapat e parë të shkollimit ishin me plot vështirësi, pasi që në klasën e parë vendi ishte në kohë lufte, dhe nxënësit u dëbuan nga shkolla nga ushtria serbe. Kjo solli sfida të mëdha për të gjithë ne dhe familjet tona, pasi humbëm mundësinë për të mësuar. Pastaj shkollimin e kam vazhduar në Korçë, si refugjate, deri në çlirimin e Kosovës. Kështu që, megjithëse koha e fillimit të shkollimit ka qenë e vështirë, ajo u bë një burim i frymëzimit për të mësuar vlerën e arsimit, dhe rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur.

E di që shkolla është rruga që na çon drejt dijes, dhe gjatë kësaj rruge kam pasur fatin të kisha mësues dhe profesorë të mrekullueshëm, të cilët më inkurajuan gjithmonë të pyesja, dhe për të cilët jam falemnderuese edhe sot. Kështu filluan hapat e parë të shkollimit për të mësuar, zhvilluar veten dhe për të ndihmuar të tjerët për një botë më të shëndetshme.

AakdemiPune: Si mendoni që e ka ndikuar fëmijëria dëshirën tuaj për shkencën dhe gjithë suksesin tuaj më pas?

Besa Maloku: Kam pasur fatin të rritem dhe edukohem nga prindërit, të cilët janë arsimtarë, dhe ata janë ndihma ime e parë në mësimet e shkollës. Angazhimi i tyre ka pasur një ndikim të thellë në mua dhe ka ndihmuar në eksplorimin e botës së dijes dhe në ndërtimin e bazës së një arsimi të qëndrueshëm. Pushimet shkollore i kam kaluar kryesisht në vendlindjen e babait në fshat, dhe shembujt e ndryshëm që i kam hasur në natyrë gjatë eksperiencave të mia atje, kanë ushqyer dëshirën time për shkencën. Ky kuriozitet rreth natyrës dhe proceseve të saj, dhe dëshira e madhe për të mësuar që fitova në fëmijëri më kanë inkurajuar të hulumtoj, të parashtroj pyetje dhe të kërkoj përgjigje.

AkademiPune: Cila ka qenë fusha juaj e studimit dhe pse keni zgjedhur pikërisht këtë fushë për ta studiuar?

Besa Maloku: Fusha ime e studimit ka qenë një rrugë e gjatë dhe interesante drejt arsimit të lartë dhe shkencës. Pas përfundimit të gjimnazit kam qenë njëra ndër katër studentët që kam fituar bursë të plotë shkollimi në universitetin Graceland, në Iowa, SHBA. Atje kam ndjekur studimet në Pre-medicine në nivelin e bachelorit, i cili më ka përgatitur thellësisht për të kuptuar shkencën e trupit të njeriut dhe bazat e mjekësisë. Kjo zgjedhje është bërë pikërisht për shkak të kuriozitetit dhe synimit tim të qartë për angazhimin në hulumtimet shkencore që ndikojnë pozitivisht në jetën e njerëzve anembanë botës. Pastaj, studimet e masterit i kam ndjekur në Universitetin e Zurich-ut, në fushën e biokimisë. E zgjedha këtë fushë për shkak të vështirësisë së saj dhe potencialit të madh për trajtimin e sëmundjeve si kanceri, Alzheimer, Parkinson, etj.

AkademiPune: Ku e keni ndërtuar më pas karrierën tuaj profesionale në angazhimet e reja?

Besa Maloku: Karriera ime profesionale ka filluar me projekte të vogla në universitet në Iowa. Pastaj kam pasur fatin të zhvilloj karrierën në UCSF (University of California in San Francisco) në fushën e imunologjisë. Këtu duke parë prej së afërmi rëndësinë e funksionit të proteinave në trupin tonë, më lindi dëshira për të vazhduar studimet në biokimi. Më tutje kam vazhduar të punoj si anëtare e komisionit për dëme shëndetësore në një kompani sigurimesh në Kosovë. Dhe së fundmi, jam angazhuar kryesisht në universitetin e Zurich-ut me projekte të ndryshme me proteina dhe ARN. Këtu kam shërbyer si asistente në hulumtime shkencore të cilat kanë rëndësi në detektimin e këtyre makromolekulave dhe zbulimin e strukturës dhe funksionit të tyre biologjik. Kam pasur fatin të punoj me metodat më të reja shkencore dhe me teknologjinë më të avancuar.

AkademiPune: A ishte i vështirë depërtimi në kompaninë e njohur zvicerane “Lonza”? Në çfarë më shumë është i fokusuar angazhimi juaj aty?

Besa Maloku: Depërtimi nuk ka qenë aspak i lehtë, pasi që ka pasur konkurentë nga e mbarë bota. Mendoj që përvoja ime profesionale dhe arsimimi i lartë në universitetin e Zurich-ut, kanë qenë faktorë kyç në përzgjedhjen time për këtë pozitë pune. Zvicrranët njihen si popull që i besojnë kualitetit të shtetit të tyre. Prandaj, pasiqë kanë investuar në mua në arsimim dhe përvojë akademike, më kanë dhënë mundësinë që të jap kontributin tim edhe në industri, për kompaninë e mirënjohur Lonza, e cila është në rritje të hovshme që nga pandemia. Angazhimi im është i fokusuar në vlerësimin e kualitetit të produkteve farmaceutike për të siguruar cilësinë e produkteve. Përgjegjësitë e mia përfshijnë këshillimin e teknikëve nga ana shkencore në rast të devijimit të cilësisë, si dhe dokumentimin dhe sigurimin e përputhshmërisë në bazë të rregullave dhe standardeve të industrisë. Kjo pozitë është mjaft me përgjegjësi ngase nga ne merret drita e gjelbërt për kualitetin e produktit, dhe nëse ky afirmim është dhënë gabimisht, atëherë produkti do të ketë efekt negativ drejtpërdrejt në jetën e pacientit.

AkademiPune: Cili mendon që është çelësi i suksesit për të qenë një shkencëtare e suksesshme?

Besa Maloku: Për të qenë shkencëtare e suksesshme përveç arsimimit dhe përgatitjes në fushën e përzgjedhur shkencore, kërkohet edhe përkushtim i madh dhe qëndrueshmëri. Është e rëndësishme që të jemi të gatshëm të tejkalojmë sfidat dhe pengesat që i hasim gjatë rrugës, në mënyrë që të eksperimentojmë dhe zhvillojmë projekte inovative. Prandaj edhe quhet “research”, për shkak se për të arritur një rezultat të caktuar duhet të provojmë shumë herë eksperimentin, duke i ndërruar kushtet eksperimentale secilën herë. Pra, shkencëtarët e suksesshëm nuk ndalen te njëra metodë ose rrugë për të kërkuar njohuri. Ata janë gjithmonë në kërkimin e njohurive të reja, shpesh edhe jashtë shtetit të tyre, për të arritur synimet që i kanë. Kjo rrugë mund të jetë sfiduese, por me durim dhe vendosmëri, mund të arrijmë suksesin dhe të bëhemi kontribues të rëndësishëm në fushën tonë shkencore.

AkademiPune: Çfarë mund të presim tutje nga Besa?

Besa Maloku: Në të ardhmen kam dëshirë që përvojën time profesionale ta ndaj me vendin tim të lindjes, Kosovën. Unë besoj që ka shumë potencial në Kosovë për zhvillim në shkencë dhe teknologji. Për të arritur këtë qëllim, unë jam duke kërkuar mënyra për të krijuar projekte inovative dhe për të bashkëpunuar me kompani zvicrrane të cilat mund të ndihmojnë në realizimin e këtij vizioni./ AkademiPune