Fronti opozitar: Sot kemi dorëzuar interpelancë për punën e Kryeprokurorit Lubomir Jovevski

Shpërndaje

Të nderuar përfaqësues të mediave, të dashur qytetarë,

Sot jemi këtu për t’ju njoftuar se ne – një grup deputetësh – të partive AlternAtivA – Lëvizja BESA – Lëvizja Demokratike, sot kemi dorëzuar interpelancë për punën e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljubomir Joveski.

Ndonëse Lubomir Joveski meriton më shumë interpelanca dhe thirrje në përgjegjësi, sepse nuk është kurrfarë lajmi të themi se Prokuroria Publike është bërë njëra nga ministritë e kësaj qeverie, megjithatë arsyeja themelore e kësaj interpelance është kulminacioni i punës së tij jokonsistente, jontrasnparente, kontraverse dhe humbja besimit publik ndaj institucionit të Prokurorisë Publike që ndodhi gjatë rastit gjyqësor në lidhje me djegien e spitalit modular në Tetovë, ku mbetën të vdekur tragjikisht 14 persona. Ne konsiderojmë se roli i Prokurorit Publik, Ljubomir Joveski, në këtë rast është bërë temë e dyshimeve dhe kjo kërkon përgjegjësi dhe shpjegim publik.

Kjo interpelancë ka për qëllim t’i ngrejë në debat publik parlamentar pretendimet e rënda se Prokuroria Publike ka fshehur fakte dhe informacione gjatë gjithë procedurës për të mbrojtur kështu disa politikanë dhe pjesëtarë të elitave të biznesit, që kanë qenë të përfshira në ndërtimin e spitaleve modulare që ishin lënda e kësaj tragjedie.

Prandaj në bazë të dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Rregullores së Kuvendit të RMV-së, ne sot në Arkivin e Kuvendit e kemi dorëzuar interpelancën dhe presim nga kryetari i Kuvendit që ta procesojë atë. Për informacion të opinionit, ndërsa për t’ia rikujtuar edhe Kryetarit të Kuvendit, në bazë të Rregullores së Kuvendit të RMV-së, më saktë nenit 47 të saj, Kryetari i Kuvendit është i detyruar që në afat prej 15 ditësh që nga dorëzimi i interpelancës, ta vendosë atë në rend dite në seancën e parë të ardhshme plenare. Prandaj ne presim që Kryetari i Kuvendit do ta respektojë Rregulloren e Kuvendit, ndërsa pjesa tjetër është të ballafaqohemi me argumente me kryeprokurorin Lubomir Joveski se si ka ndodhur që të digjen 14 njerëz në spital dhe përgjegjësi të mos kërkohet nga ndërmarrja që e ka ndërtuar spitalin modular, nga realizuesi i furnizimit publik, pastaj të shpjegojë se pse nuk është marrë parasysh raporti i forenzikës gjermane dhe pse është përjashtuar prokurori që në fillim ishte caktuar për këtë lëndë. Kërkesa jonë është që Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljubomir Joveski, të paraqitet në Kuvendin e popullit dhe ta sqarojë rolin e tij në këtë rast, duke i marrë parasysh edhe të gjitha akuzat e deklaruara në opinion në lidhje me punën e tij.

Ne urojmë që kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, të jetë në krye të detyrës dhe në interes të qytetarëve!

Shkup, 14.09.2023
Merita Koxhaxhiku – Lëvizja Demokratike
Fadil Zendeli – Lëvizja BESA
Safije Sadiki – AlternAtivA