Kriza ekonomike, shumë familje zgjidhjen e shohin jashtë vendit

Shpërndaje

Në Maqedoni të veriut, nuk po jetohet, por po mbijetohet. Lypsarë dhe të pastrehë kudo, madje edhe ata që nuk kërkojnë lëmoshë janë duke u bërë idare me qindarkat e fundit. Rritja e kostos së jetesë ka lënë duar bosh masën dërmuese të qytetarëve dhe ka theluar hendekun e varfërisë së skajshme. Kjo është pasqyra reale e krizës ekonomike, e cila e përkthyer në shifra zyrtare tregon se jemi ndër të parët në rajon me bilanc negativ. Më i zëshëm për këtë është edhe Presidenti i Shtetit, Stevo Pendarovski i cili tha se po humbasim kuadro të kualifikuara nga emigrimi i cili po stimulohet më tepër nga standardi i jetesës dhe kriza ekonomike. Pendarovski tha se ky potencial njerëzor do të përgjysmoj mundësinë tonë si shtet që të bëhemi të pavarur ekonomikisht nga tregjet e jashtme dhe do të ngadalësoj zhvillimin ekonomik.

“Rreziqet gjeopolitike dhe gjeo-ekonomike pa diskutim i intensifikojnë efektet negative afatgjata në demografi. Gjegjësisht, pasiguria intensifikon emigrimin masiv të të rinjve jo vetëm nga vendi ynë, por edhe nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Dhe me këtë, ne humbim kapitalin e paçmuar njerëzor dhe shoqëror nga i cili varet rritja dhe zhvillimi afatgjatë ekonomik i vendeve tona dhe i të gjithë rajonit”, u shpreh Stevo Pendarovski, President i Shtetit.

Pandemia me kovid, Lufta në Ukrainë solli këtë kriza ekonomike dhe energjetike, shkaktoi destabilizimi të çmimeve, gjë e cila ka ndikuar edhe në politikën monetare të Bankës Popullore, por Guvernatorja Anita Bezhovska tha se janë duke punuar në uljen e presionit të inflacionit dhe aktualisht denari është stabil.

“Në planin afatgjatë, në një anë kostot rriten ndërsa inflacioni në anën tjetër edhe pse shënon rënie, sërish është më i lartë sesa targeti i paraparë, e cila do të ndikoj në 90% të ekonomive edhe vitin e ardhshëm. Inflacioni lartë dëshmoi se modelet e projektuara nuk janë adekuate për të arritur këtë realitet të ndryshueshëm”, tha Anita Bezhovska, Guvernatore.

Sipas të dhënave të Shërbimit Statistikor Evropian – Eurostat, 25% e të rinjve evropianë të moshës 15 deri në 29 vjeç ishin të punësuar gjatë arsimimit të tyre formal në vitin 2022. Ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet në kuotën e më pak se 1%. Me përqindje njëshifrore janë edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. /Alsat.mk