Osmani: BE-ja të ketë qasje të balancuar në dialog, në disa momente s’e kishte

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shpreson që ndërmjetësuesi Bashkimi Evropian do të ketë qasje të balancuar në dialogun Kosovë – Serbi.
Osmani ka thënë se BE-ja në disa raste nuk ka pasur qasje të balancuar, teksa ka shtuar se nga selia e NATO-s në Bruksel do t’i bëjë thirrje aleatëve që të sigurojnë qasje të balancuar.Ajo ka thënë në konferencë të përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se marrëveshja e Brukselit duhet zbatuar e plotë dhe pa kushte.
“S’ka asnjë nen më me rëndësi se tjetri”, ka thënë Osmani, ndërsa ka shtuar se Serbia vazhdon ta shkelë marrëveshjen.

Osmani: Kosova sukses historik i NATO-s

‘’Kosova është sukses historik i NATO-s, ka forca keqdashëse që duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë. Nuk duhet ta lejojmë këtë’’ kështu tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën e përbashkë me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg .

Tutje Osmani ka shtuar se nuk do të lejojnë që veriu i Kosovës të jetë fushëbetejë për arritjet hegjemoniste të autokratëve rajonalë, duke aluduar në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Jam këtu si dëshmi e orientimit strategjik të Kosovës. Jemi shumë mirënjohës për lidershipin e NATO-s në këtë kohë goxha të rëndë. Më lër të shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin e NATO-s për të shpëtuar jetët tona dhe rolin gjatë ditëve të sotme. E vlerësojmë rolin e NATO-s në zhvillimin e Kosovës’’ tha Osmani.

Osmani në emër të institucioneve shprehi gatishmërinë që në bashkëpunim me NATO-n t’i sjellin para drejtësisë kriminelët që sulmuan ushtarët e KFOR-it, gazetarët e njësitet policore në veri të Kosovës gjatë fund të majit.