Spasovski: Nuk më intereson nëse dikush nga Qeveria, LSDM, BDI, VMRO-DPMNE, Aleanca do të ndërhyjë për Klinikën e onkologjisë, përgjegjësi duhet të ketë!

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në një intervistë për TV21 theksoi se i kupton shqetësimet e qytetarëve për rastin e Klinikës onkologjike.

“E vetmja gjë që kuptoj në këtë moment është shqetësimi i të gjithë neve si qytetarë. Është një emocion i veçantë kur bëhet fjalë për këtë segment në shëndetësi, janë shpresat e fundit të një njeriu që po lufton me një sëmundje kaq të ligë dhe dëshiron të mbështetet në një sistem, te mjekët. Pavarësisht se kush ka marrë pjesë, po i bëhet dëm i rëndë sistemit, mjekëve që janë kryesisht njerëz humanë”, tha ministri Spasovski.

“Për këtë do të ketë përgjegjësi, është shumë e rëndësishme që procesi të përfundojë në mënyrë cilësore dhe fajtorët të përgjigjen me emër dhe mbiemër para organeve kompetente. Vetëm kështu do të vendoset drejtësi ndaj qytetarëve dhe ndaj të gjithë pacientëve që ishin në Klinikën e onkologjisë”, tha Spasovski.

I pyetur për protestat e paralajmëruara, Spasovski theksoi:

“Ky rast, kur bëhet fjalë për jetën e njeriut, për mendimin tim, nuk duhet të politizohet, në atë mënyrë nuk tregojmë dimensionin njerëzor. Është e rëndësishme që MPB-ja aktuale, PP, të jetë e vendosur për t’iu përgjigjur seriozisht të gjitha pyetjeve. E drejta e protestës është e pacenueshme, qytetarët me të drejtë janë të revoltuar, sidomos kur bëhet fjalë për shëndetin, për njerëzit që luftojnë për një minutë të jetës së tyre, prandaj mesazhi im është që të mos ketë asnjë selektivitet apo kompromise, ky është detyrë kyçe e ekipit që punon në gjithë këtë proces”, tha ministri Spasovski, duke i siguruar qytetarët se rasti do të zgjidhet deri në fund, si dhe potencoi se gjatë procedurës mund të zbulohen njohuri të reja.

I pyetur nëse dikush nga qeveria do të ndërhynte, Spasovski ishte kategorik:

“Së pari nuk më intereson fare nëse dikush ndërhyn apo jo. Ekipi që punon në këtë rast ka detyra t’i zbulojë të gjithë fajtorët, për mua nuk ka rëndësi as feja e as kombësia, nuk më intereson fare nëse është dikush nga qeveria, LSDM, BDI, VMRO-DPMNE, Aleanca, e cila është ajo strukturë politike më e vlefshme se një jetë njerëzore?”, tha ministri Spasovski, duke apeluar që të gjithë krerët e institucioneve të merren seriozisht me respektimin e procedurave të funksionimit.