Azir Aliu: BDI duhet të bëhet update!

Shpërndaje

BDI duhet të kalojë në opozitë dhe të bëhet “update”. Këto ishin fjalët e ministrit të shoqërisë informatike dhe administratë Azir Aliu, i cili vjen nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Aliu në Click Plus tha se nuk është e shëndoshë as për qytetarët e vendit që një parti politike të qëndrojë në pushtet për mbi 20 vite.

“Cilado parti njëzet vjet të jetë në pozitë, nënkupton që nuk ke bërë as “update” as “upgrade” brenda, kështu që besoj se është shëndosh e mirë të shkohet në opozitë dhe të optimizohen proceset. Po nuk bëre një “update” apo “upgrade” ai do të virusohet, do të jetë lehtë i penetrueshëm nga proceset e jashtme. Edhe për qytetarin tonë, një shoqëri në të cilën ka njëzet vjet një parti politike në pushtet, nuk është e shëndoshë”, tha Azir Aliu – Ministër i MSHIA.

Nga ana tjetër kreu i ASH-së Arben Taravari ishte pak më i ashpër. Ai në një intervistë për Euronews, BDI-në e quajti kancer i shoqërisë.

“Se BDI-ja është infiltruar në të gjitha institucionet, kjo është fakt i pamohueshëm. Unë në një intervistë para 10 ditësh e thashë se gëzohem që shumica e analistëve dhe partive politike i thonë fjalët që ne i kemi thënë para 3,4, 5 viteve se praktikisht BDI-ja është në një farë mënyre problem ishoqërisë, unë e thash si kancer i shoqërisë, për shkak infiltrimit të thellë në të gjitha institucionet e shtetit”, pohoi Arben Taravari – Kryetar i ASH-së.

Por si i komenton BDI këto qëndrime të ASH-së? Ministri i jashtëm Bujar Osmani, njëherit nënkryetar i BDI-së, thotë se në pushtet të gjithë ministrat kanë bashkëpunim profesional dhe nuk kanë asnjë vërejtje për kolegët e tyre.

“Në Qeveri nuk kami aspak dallime. Komunikojmë, bashkëpunojmë të gjithë ministrat, qoftë nga Aleanca, qoftë nga BDI apo LSDM. Kështu që nuk kam vërejtur asnjë dallim në qëndrime apo vërejtje lidhur me punën e cilitdo nga partnerët e koalicionit. Kjo është e rëndësishme, tjetrën pjesë nuk do ta komentoj. Kemi relacione të mira ndërnjerëzore, bashkëpunim profesional si ministra dhe si partnerë koalicioni në korniza të Qeverisë, absolutisht nuk kam vërjetur asnjë dallim në veprim”, tha Bujar Osmani – Ministër i Jashtëm.

Marrdhëniet mes dy partive vazhdojnë të qëndrojnë në status quo pasi deri në zgjedhjet e ardhshme Aleanca për Shqiptarët ende nuk ka vendosur nëse do t’i bashkangjitet frontit europian apo do të jetë në një vijë me opozitën shqiptare.