Erdoğan dhe Putin diskutojnë konfliktin izraelito-palestinez

Shpërndaje

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë diskutuar rrjedhën e konfliktit aktual “shqetësues” midis Izraelit dhe Palestinës, transmeton Anadolu.

Në një telefonatë, njofton Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes, Erdoğan dhe Putin shkëmbyen pikëpamje mbi masat për të parandaluar çdo përhapje të tensionit.

Dy presidentët vlerësuan se çfarë iniciativash do të ndërmerren për të përmbushur nevojat humanitare në rajon.

Presidenti turk i tha homologut të tij rus se shënjestrimi i vendbanimeve civile është shqetësues dhe se nisma të tilla nuk janë të mirëpritura nga Türkiye.

Erdoğan gjithashtu tha se Türkiye do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për të siguruar qetësi në rajon.

Situata në Rripin e Gazës pas një sulmi të befasishëm të së shtunës nga grupi palestinez Hamas në qytetet jugore të Izraelit. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme masive ajrore në Gaza dhe e vendosi enklavën nën bllokadë të plotë.

Mbi 1.800 njerëz janë vrarë deri më tani nga dhuna, përfshirë të paktën 830 palestinezë dhe 1 mijë izraelitë.

Izraeli gjithashtu ka ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar situatën tashmë të rëndë humanitare të enklavës së bllokuar.

Rripi i Gazës, shtëpi e afër 2.2 milionë banorëve, ndodhet nën një rrethim izraelit që nga viti 2007.