Fronti Opozitar shqiptar në Maqedoni ka tre kushte për ndryshimet Kushtetuese dhe zgjedhjet e ardhshme

Shpërndaje

Rrugëtimi eurointegrues i vendit, mosvjetërsimi i lëndëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe çështja e gjuhës shqipe janë tre kushtet e frontit opozitar shqiptar në kontekst të zgjedhjeve të ardhshme dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

Lideri i Alternativës, Afrim Gashi duke e quajtur termin formulues të gjuhës shqipe në kushtetutë fyes dhe ofendues, tha se kur të hapet kushtetuta ai formulim duhet të hiqet.

“Ne jemi të përcaktuar dhe jemi të vendosur se, rrugëtimi jonë për në BE nuk ka kompromis. Kushti jonë i dytë ka të bëjë me amendamentin kushtetues për mosvjetërsim të lëndëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ne do të bëjmë çmos që atë amendament ta vendosim në kushtetutë dhe përfundimisht çdo keqpërdorim të detyrës zyrtare të njerëzve që janë të zgjedhur dhe të emëruar të mos mund të pasurohen në kurriz të qytetarëve”, tha Afrim Gashi, lider i Alternativës.

Në lidhje me mundësinë eventuale të një bashkëpunimi parazgjedhor me Aleancën për Shqiptarët, kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti tha se, janë të hapur për këtë por, është një çështje për të cilën Aleanca për Shqiptarët duhet të sjellë vendim të prerë nëse do t’i bashkohet këtij fronti, apo do të mbetet me koalicionin aktual.

I pyetur nëse ka bisedime për këtë çështje, Mexhiti nuk ishte i prerë, por tha se si deputetë ka takime me të gjitha subjektet politike.

“Është çështje të cilën ata duhet ta pastrojnë, është një vendim që ata duhet ta sjellin. Ne të gjithë e dimë se elektorati i aleancës është ndërtuar në narrativin anti-BDI, tërë kohën janë marrë me kritika ndaj Qeverisë dhe nuk do të jenë të kënaqur që të jenë së bashku me Bashkimin Demokratik për Integrim se nuk do të mund t’i bindim as familjarët e vet”, deklaroi Izet Mexhiti, Lëvizja Demokratike.

Sa i përket kandidatit për president, Mexhiti tha se nuk është biseduar ende për emra konkret, por paralajmëroi se do të jetë një figurë që do të ketë rol unifikues dhe do të jetë alternativë serioze.