Ligji i Amnistisë mbërriti në Kuvend me procedurë të shkurtuar

Shpërndaje

Me procedurë të shkurtuar u lëshua në procedurë parlamentare propozim ligji për amnisti nga i cili planifikohet të përfitojnë liri të plotë 286 persona kurse liri të pjesshme 960 të tjerë. Nisma tashmë është shpërndarë te deputetët por nuk dihet akoma kur do të jetë në rend dite për shqyrtim. Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se mendimet e ndryshme për ligjin janë një bazë për debat gjithëpërfshirës në Kuvend. Ai mohon që ligji të favorizojë persona të caktuar.

“E para, ky ligj nuk është bërë për persona të caktuar por për vepra më të lehta të cilat qartë janë përcaktuar në ligj dhe janë theksuar se cilat vepra nuk mund të amnistohen. Megjithatë për shkak të ndjeshmërisë së disa rasteve që kanë ndodhur në të kaluarën, grupi parlamentar i LSDM-së do të dorëzojë amendament. Nga mënyra e elaborimit, nga mendimet e ndryshme dhe përvojat e ndryshme nga një ligj i njëjtë i miratuar më herët do të varet se si do të duket forma finale e tij dhe a do të miratohet ai”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kreu i opozitës Hristijan Mickoski komentoi qëndrimin e përmbajtur të ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski i cili kishte thënë se ligji për amnisti nuk do ta zgjidhë problemin me mbipopullimin e burgjeve. Mickoski thotë se ligji amniston krimet e rënda.

“Spasovski ka opsione. Njëri nga opsionet është që nëse nuk pajtohet ta lëshojë qeverinë. Dhe opsioni i dytë është që mos bëjë teatër, të heshtë dhe të pranojë se ata që përfshihen nga ky ligj janë kriminelë të shpallur, narkodilerë, shpëlarës parash, dhunues, dhe pikërisht ata duhet të marrin dënime të ulta ose një pjesë e tyre edhe amnisti të plotë. Përsëri do të dalin në rrugë të bëjnë probleme dhe do ta terrorizojnë qytetarin e ndershëm të vendit”, thotë Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së

Lëvizja Besa nuk mbështet mënyrën se si ligji propozohet. Sipas tyre, në këtë moment synimi janë vetëm përfitimi i pikëve politike nga pushteti.

“Ne vlerësojmë se në burgjet e Maqedonisë ka shumë njerëz që janë të gjykuar pa të drejtë dhe nuk duhet të jenë aty dhe sigurisht se ne jemi të interesuar të ketë një ligj për amnisti por momenti dhe arsyeja se pse sot dhe pse tani po futet me procedurë të shkurtuar ligji për amnisti, është e gabuar dhe qëllimi është për kalkulime politike ashtu siç ishin edhe ndryshimet e Kodit penal. Në këto momente dhe në këtë formë si është lëshuar ligji për amnisti, ne nuk do ta përkrahim”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa

Akoma nuk ka informacione zyrtare se cilët të dënuar konkretisht do të amnistohen por ligji thekson vetëm veprat për të cilat ulet dënimi ose të cilat falen tërësisht. Pushteti thotë se me këtë nuk përfshihen personat që keqpërdorin detyrën zyrtare. Qëllimi i tij thuhet të jetë shpopullimi i burgjeve.