Taravari: 20% jo vetëm kusht por edhe kauzë e ASH-së që nga viti 2018-të

Shpërndaje

Shumica e anëtarësisë mendojnë se ASH në zgjedhjet e ardhshme duhet të del vetë në zgjedhje.

Kështu tha në një intervistë për “Euronews Albania” këtë të dielë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Ky, tha Taravari, është preceptimi i tij nga bisedat që zhvillon me anëtarësinë.
“Shumica e anëtarësisë mendojnë se në zgjedhje duhet të shkojmë vetë, pjesa tjetër apo e dyta është ajo pjesë e antarësisë që mendojnë se duhet të shkojmë me opozitën dhe një pjesë shumë e vogël mendojnë se duhet të shkojmë me BDI-në”, deklaroi Taravari, i cili shtoi se vendimin përfundimtar do ta sjellë Kuvendi Qendror i partisë.

“Së shpejti do të porosis një anketë ku ndër të tjera do të jetë edhe kjo pyetje e koalicionimit apo vetëm. Pos anëtarësisë do të pyeten edhe qytetarë të tjerë pasi neve duhet ta dimë se çfarë mendon dhe dëshiron edhe qytetari në përgjithësi”, shtoi më tej Taravari.

I pyetur rreth ndryshimeve kushtetuese, Taravari tha se probabiliteti për të ndodhur është shumë i vogël, me çka sipas tij, Shqipëria do të vazhdojë rrugën evropiane, ndërsa Maqedonia e Veriut do të mbetet në grup me shtetet tjera sikurse BeH dhe Kosova.

Fajin për mos kalimin e ndryshimeve kushtetuese, Taravari tha se e kanë partitë maqedonase.

“Në parim çdo subjekt shqiptarë është pro kalimit të ndryshimeve kushtetuese, por te pala maqedonase sa herë kanë problem me fqinjët, dikur me Greqinë, tash me Bullgarinë, fajtorë rezervë i mbajnë shqiptarët”, shtoi më tej kryetari i ASH-së, Arben Taravari.

Taravari tha se pavarësisht që janë në koalicion qeverisës me BDI-në, vazhdon të mendojë se kjo parti është e keqja e shoqërisë në RMV.

“Më gëzon fakti se këtë që ne e kemi thënë për BDI-në para katër-pesë vite, sot e thonë edhe të gjithë analistët në vendin tonë në çdo debat dhe studio televizive”, deklaroi Taravari.

Sa i takon zëvendësimit të 20 % nga Kushtetuta me Gjuhën Shqipe, tha se kjo çështje është jo vetëm kusht por edhe kauzë e ASH-së që nga viti 2018-të, për të cilën gjë tha ai, si parti, nuk heqin dorë derisa gjuha shqipe të jetë e barabartë në RMV.