UNRWA: Një milion njerëz në Gaza u larguan nga shtëpitë e tyre në shtatë ditë

Shpërndaje

Të paktën një milion njerëz në Gaza u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre brenda vetëm shtatë ditëve, njoftoi mbrëmë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), raporton Anadolu.

“Të paktën një milion njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për vetëm shtatë ditë. Lëvizja e madhe e njerëzve vazhdon të rrjedhë në jug”, njoftoi UNRWA.

Agjencia e OKB-së shtoi se “asnjë vend nuk është i sigurt në Gaza”.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën sulme intensive ushtarake kundër Rripit të Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake nga grupi palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi më 7 tetor, kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime, duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Përgjigjja e Izraelit është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nën një rrethim paralizues që nga viti 2007.