150 kamionë me ndihma humanitare hynë në Rripin e Gazës të dielën

Shpërndaje

Njëqind e pesëdhjetë kamionë me ndihma kanë hyrë dje në Rripin e Gazës, në kuadër të marrëveshjes së arritur mes Izraelit dhe Hamasit për një “pauzë humanitare” në luftime.

Wail Abu Muhsin, Drejtor Medial i Portës Kufitare Rafah midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës, tha në një deklaratë për Anadolu se “150 kamionë që transportonin ndihma humanitare, përfshirë katër me bombola gazi dhe tre me karburant, hynë dje në Gaza”.

Abu Muhsin tha se fluksi i ndihmave humanitare do të vazhdojë.

Marrëveshja për një “pauzë humanitare” katërditore midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi mëngjesin e 24 nëntorit.

Sipas marrëveshjes, 150 palestinezë në burgjet izraelite do të lirohen në këmbim të 50 të burgosurve izraelitë të mbajtur nga Hamasi. Robërit që do të lirohen nga të dyja palët përbëhen nga gra dhe fëmijë.

Hamasi kishte njoftuar se “pauza humanitare” përfshin hyrjen ditore të 200 kamionëve me ndihma dhe katër cisternave me karburant që do të dërgohen në të gjitha pjesët e Gazës.