BFI-ja shkarkon myftiun e Tetovës dhe të Strugës

Shpërndaje

Bashkësisë Fetare Islame në vend nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se ka shkarkuar nga detyra myftiun e Tetovës dhe Strugës. Nga Rijaseti nuk japin shpjegime për arsyet e shkarkimit të tyre, por thonë se ky vendim është është ndërmarrë për të ruajtur unitetin e popullatës myslimane në vendin tonë si dhe për ta ruajtur integritetin e Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së. Në vend të myftinjve të shkarkuar janë emëruar ushtrues detyre deri në zgjedhjet e reja.

“Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame më 08.11.2023 mbajti mbledhjen e rregullt të Rijasetit në të cilën diskutoi për gjendjen aktuale në Muftininë e Tetovës dhe Muftininë e Strugës, ndaj të cilëve u soll vendim unanim nga Rijaseti i BFI-së, për shkarkimin nga detyra e Muftiut të Muftinisë së Tetovës, Qani Nesimi dhe në vend të tij për ushtrues detyre deri në zgjedhje të reja të Muftinisë së Tetovës u emërua Ushtrues Detyre Mufti dr. Selver Xhemaili. Po ashtu nga detyra u shkarkua edhe Muftiu i Muftinisë së Strugës, Salim Sulejmani, në vend të të cilit u emërua Ushtrues Detyre Mufti i Muftinisë së Strugës Mr. Jusuf Ismaili, deri në zgjedhje të reja. Rijaseti i BFI e RMV, si organi më i lartë kolektiv, vendimet e lartëpërmendura i mori për ta ruajtur unitetin e popullatës muslimane në vendin tonë si dhe për ta ruajtur integritetin e Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së.”- njoftojnë nga BFI-ja.