Grabitja në Suharekë, nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit

Shpërndaje

Prizren- Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar këkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarve A.B dhe F.T., (secilit veç e veç), për ndihmë në kryerjen e grabitjes në argjendari në Suharekë, ku ishte plagosur një polic dhe ishte lënduar një tjetër.

Lajmin e ka konfirmuar Marcel Lekaj, zëdhënës i Gjykatës Themelore në Prizren.

“Caktohet masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, duke llogaritur nga data e arrestimit 25.11.2023”, tha Lekaj për “Betimi për Drejtësi“.

I pandehuri A.B., dyshohet se duke prezantuar letërnjoftimin e tij në kompaninë “Ipko” në Mitrovicë blen 10 numra të telefonit për të pandehurin F.T., dhe këta numra ia dorëzon F.T. Kurse, thuhet se njëri prej këtyre numrave të telefonit përdoret për të kontaktuar pronarin e automjetit nga i cili grabitësit e blejnë automjetin, i cili përdoret gjatë grabitjes në Suharekë.

Po ashtu, grabitësit dyshohen se nga aparati telefonik që e kanë përdorur këtë numër, komunikojnë mes vete me dy numra të telefonisë “Ipko” gjatë dhe menjëherë pas grabitjes më 22 nëntor 2023.