Grubi: Kryqin në Kodrën e Diellit e ka bërë Bilall Kasami dhe VMRO-ja! (Video)

Shpërndaje

Zv.kryeministri Artan Grubi, ka akuzuar kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasamin, për ngritjen e kryqit në Kodrën e Diellit në Tetovë. Grubi në një prononcim për gazetën LAJM, tha se ngritja e këtij simboli fetar është rezultat i marrëveshjes mes Lëvizjes Besa dhe VMRO-DPMNE-së.

“Për fat të keq është rezultat i marrëveshjes skandaloze të koalicionimit midis Bilall Kasamit dhe VMRO-DPMNE-së dhe po e shohim në zbatim e sipër çdo ditë. Të gjitha ato marrëveshje po i shohin qytetarët e Tetovës, po i ndjejnë, me të gjithë ato drejtori, me të gjithë ato punësime, me gjithë ato ndërtime përsëri të kryqeve dhe politikave monoetnike, monofetare që po zbatohen tashmë në Tetovë dhe vlerësoj që kryetari i komunës së Tetovës dhe gjithë estabilishmenti i asaj partie, e legjitimoi, e legalizoi, e ndërtoi gjithë atë kryq në Kodrën e Dielli ndryshe nga jo që e bëjmë ne në Shkup, ku kishte përpjekje të tilla por nuk i lamë, as në Kala e as në Butel. As të ndërtohet kisha e as të ndërtohet kryqi, jo për të patur diçka kundër kishave, kryqeve apo objekteve fetare por kundër politizimit, partizimit dhe politikave monoetnike dhe monofetare përmes keqpërdorimit të ndjenjave fetare dhe pazareve politike për të marrë një post kryetar komune në Tetovë”, tha Grubi për gazetën LAJM.