Kosovë, presidentja Osmani në Ditën e Forcës: FSK-ja e gatshme për anëtarësim në NATO

Shpërndaje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot kazermën “Adem Jashari”, me rastin e Ditës së Forcës.

Së bashku me kryeministrin Albin Kurti, me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë parë nga afër makineritë ushtarake prezantuar me rastin e kësaj dite.

Presidentja Osmani ka thënë se Dita e FSK-së, është ditë krenarie jo vetëm për ushtarët, por për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës.

“Është ditë kur ne me shumë krenari kujtojmë sakrificën jashtëzakonisht të madhe të popullit tonë, të Ushtrisë sonë Çlirimtare për të ardhur deri në këtë ditë, është derdhur shumë gjak në mënyrë që Kosova ta ketë ushtrinë e saj. Prandaj, jam e bindur që secili ushtar e secila ushtare e mban këtë uniformë me shumë krenari dhe është i gatshëm që të jap edhe jetën për atdheun në qoftë së është nevoja”, ka thënë Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes, Forca e Sigurisë është Forcë e cila është e trajnuar në bazë të standardeve më të larta të NATO-s.

“Forcë e cila jep kontribut jo vetëm për paqe e siguri në rajon, por edhe përtej duke shërbyer së bashku me forcat amerikane, forcat e Mbretërisë së Bashkuar dhe ushtritë tjera aleate nëpër vendeve të ndryshme të botës në misione paqeruajtëse dhe kështu duke dëshmuar se tashmë ajo është e gatshme t’i bashkohet ushtrive tjera aleate në aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit, në aleancën e NATO-s”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se si Komandante supreme e kësaj ushtrie çdokund, në çdo cep të botës shihet se me sa admirim vlerësohen sukseset e kësaj ushtrie.

“Prandaj, jam jashtëzakonisht krenare për të, por njëkohësisht së bashku me institucionet e tjera do të punojmë në mënyrë që të krijohen kushte edhe shumë më të volitshme, qofshin ato të mirëqenies, qofshin ato të trajnimeve dhe shkollimit shtesë, qofshin ato shëndetësore, në mënyrë që çdo ushtar dhe çdo ushtare e ushtrisë sonë të ketë më shumë prosperitet dhe më shumë vullnet e motiv që të kontribuojë për ushtrinë tonë dhe për vendin tonë”, ka pohuar Presidentja.

Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se së bashku me Kryeministrin, me ministrin e Mbrojtjes, me Komandantin e FSK-së janë vazhdimisht në koordinim në mënyrë që ushtria jonë çdo ditë e më shumë të arrijë edhe maja më të larta.

Në fund, Presidentja Osmani ka uruar të gjithë për Ditën e Forcës dhe festat e Nëntorit.