Kurti: Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, proces historik për Kosovën! Të bindur që jemi në rrugën e duhur

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim raportuesen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis.

Ai në një postim në Facebook shkruan se takimi u mbajt tre muaj e gjysmë pas takimit të tyre në Kretë të Greqisë dhe 14 vjet pas vizitës së saj të fundit në Kosovë.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është cak dhe proces historik për vendin tonë. Jemi të bindur që jemi në rrugën e duhur përveçse besojmë që e meritojmë të bëhemi shteti më i ri në organizatën më të vjetër ndërkombëtare të kontinentit”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot Dora Bakoyannis (Greqi, EPP/CD), Raportuesen për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës në misionin e saj fakt-mbledhës në Kosovë.

Ai e falënderoi për vizitën e saj duke theksuar që është nder dhe kënaqësi ta mirëpres në Kosovë dhe në kryeministri.

U shpreh se për Kosovën anëtarësimi në Këshill të Evropës është proces historik i cili i kontribuon mbrojtjes, promovimit dhe avancimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, dhe se Republika e Kosovës po angazhohet maksimalisht që çdo fazë e anëtarësimit të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërkohë që ndau me të më të rejat për sa i takon zhvillimeve politike në vend, performancës ekonomike, progresit demokratik dhe reformave të deritanishme.

Raportuesja Bakoyannis falënderoi kryeministrin për mikpritjen. Ajo u shpreh e lumtur me ndryshimin dhe zhvillimin që ka shënuar vendi prej vizitës saj të fundit para 14 vjetëve, teksa theksoi se raporti që do të përpilojë ajo nga qëndrimi i saj këtu do të shërbejë si bazë për vendimmarrje në PACE.