“Nuk do të çlirojë apo shpëtojë Palestinën ligji ndërkombëtar, por presioni publik”

Shpërndaje

Michael Lynk, i cili shërbeu si Raportues Special i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Palestinë në periudhën 2016-2022 tha se: “Dëshira ime është që hendeku i gjerë midis ligjit ndërkombëtar dhe vendimeve ndërkombëtare më në fund të fillojë të bashkohet dhe të shohim drejtësinë e vërtetë të arrihet në lidhje me Palestinën”.

Ish-raportuesi i posaçëm i OKB-së, Lynk në një prononcim për Anadolu foli për pushtimin e Palestinës, veçanërisht Gazës nga Izraeli.

Ai tha se sulmet e Izraelit në Gaza që nga 7 tetori kanë tejkaluar sulmet e mëparshme. “Ne u tmerruam kur numri i palestinezëve të vrarë arriti në 2.200 në vitin 2014. Tani, jemi përballur me një numër të vrasjeve 5 herë më shumë në një periudhë shumë më të shkurtër kohore. Ndërsa si gjithmonë disa vende evropiane, veçanërisht SHBA-ja, na bëjnë thirrje të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë ligjin ndërkombëtar”, tha Lynk.

“Unë do të kisha menduar se shifra të tilla masive të vrasjeve tani mund të kufizoheshin në mënyrë të sigurt në librat e historisë. Si një avokat ndërkombëtar, më duhet të them se nuk mendoj se ligji ndërkombëtar do të çlirojë apo shpëtojë Palestinën. Nuk do të jenë gjykatat ndërkombëtare ato që do ta bëjnë këtë. Ajo që do ta bëjë këtë do të jetë ‘gjykata e opinionit publik’, e cila është një gjykatë edhe më e rëndësishme”, tha Lynk.

Duke thënë se në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka një dosje të hapur në lidhje me situatën e Palestinës që nga janari i vitit 2015, Lynk tha se GJNP-ja edhe në vitin 2021 kreu hetim zyrtar në lidhje me Palestinën.

Lynk theksoi se seancat dëgjimore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), në të cilat do të diskutohen pasojat ligjore të praktikave në territoret palestineze nën pushtimin izraelit, do të fillojnë në shkurt të vitit 2024 dhe se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i kërkoi GJND-së të komentojë mbi pasojat ligjore të mohimit të së drejtës për vetëvendosje të palestinezëve si rezultat i veprimeve të Izraelit që nga lufta e vitit 1967.

“Nëse prokurori i GJNP-së ecën përpara me këtë dhe cakton më shumë burime për hetimin e tij mbi akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndoshta ai do të përfshijë çështjen e ‘gjenocidit’. Ky është një hap i madh për të ndihmuar në edukimin e publikut rreth nënshtrimit të palestinezëve nën okupim”, tha ai.

Lynk shtoi se përfundimi me sukses i çështjeve të dëgjuara në gjykatën ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm në krijimin dhe thellimin e ndërgjegjësimit publik. Ai theksoi se mund të lëshohen urdhër-arrestet individuale për grupet e armatosura palestineze, udhëheqësit e lartë politikë dhe ushtarakë izraelitë dhe ata që dyshohet se kanë kryer krime lufte duke menaxhuar vendbanimet.

“Dëshira ime është që ky hendek i gjerë midis ligjit ndërkombëtar dhe vendimeve ndërkombëtare më në fund do të bashkohet dhe ne do të shohim drejtësi të vërtetë në lidhje me Palestinën përmes GJND-së dhe GJNP-së në Hagë”, tha ai.

– “5 vjet më parë, pothuajse askush përveç palestinezëve nuk tha se (Izraeli) ishte një regjim aparteidi”

Lynk tha se ai e shkroi raportin në vitin 2022, duke deklaruar se Izraeli përfshinte praktikat e aparteidit në tokat e pushtuara palestineze. Sipas tij, regjimi i aparteidit është krim kundër njerëzimit në përputhje me Statutin e Romës të vitit 1998.

Ai kujtoi se ka figura ndërkombëtare si aktivisti fitues i çmimit Nobel për të drejtat e njeriut, kryepeshkopi Desmond Tutu, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun dhe ish-prokurori i përgjithshëm i Izraelit, Michael Ben-Yair, të cilët deklaruan se Izraeli praktikon aparteid.

“Pesë vjet më parë, pothuajse askush përveç palestinezëve nuk thoshte se (Izraeli) ishte një regjim aparteidi. Kjo përgjithësisht perceptohej si një slogan politik. Kur thoni aparteid për Izraelin, iu thuhej ‘ju jeni antisemit’ ose ‘ju nuk po i qaseni çështjes së Izraelit seriozisht’. Megjithatë, falë analizave të thella dhe gjithëpërfshirëse ligjore të kryera nga organizata të tilla si Human Rights Watch, Amnesty International, B’Tselem dhe Al-Haq, dhe raportit tim, faktet janë dokumentuar”, potencon Lynk.

Ai thotë se ka shumë vende që kanë dorëzuar deklarata me shkrim për seancat dëgjimore në GJND në shkurt 2024. “Të dyja vendet analizojnë dhe arrijnë në këtë përfundim se Izraeli është një regjim aparteidi. Zëri i ndërgjegjshëm i Namibisë dhe Afrikës së Jugut është shumë i respektuar në komunitetin ndërkombëtar. Mendoj se kjo analizë do të ndihmonte që argumentet të dëgjoheshin më lehtë dhe ndoshta të bindte gjyqtarët se sistemi i aparteidit është pjesë e Izraelit”, tha Lynk.

– “Gjermania ka një borxh të jashtëzakonshëm historik për të paguar për holokaustin”

Lynk deklaroi se Gjermania ka një borxh të jashtëzakonshëm historik për t’u paguar hebrenjve dhe njerëzimit për holokaustin. Ai tha se megjithëse vlerëson përpjekjet e Gjermanisë për t’u përballur me të kaluarën, ajo ngatërron pagesën e borxhit ndaj hebrenjve me shtypjen e lirisë së shprehjes dhe mbështetjen për palestinezët.

“Mendoj se shprehja ‘kurrë më’ ka dy kuptime të ndryshme. ‘Kurrë më’ mund të jetë pothuajse slogan fisnor në kuptimin e tij të ngushtë, që do të thotë se hebrenjtë nuk duhet ta përjetojnë më kurrë këtë. Ose mund të jetë mësim universal që askush nuk duhet t’u nënshtrohet shkeljeve të të drejtave të njeriut, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit. Unë preferoj përkufizimin e dytë gjithëpërfshirës. Mësimet që kemi nxjerrë nga holokausti duhet të jenë të vlefshme dhe të zbatohen në të gjitha situatat”, tha ai.

Duke thënë se duhet të merren mësime nga gjenocidet e tjera në botën moderne, përfshirë holokaustin, Ruandën dhe Srebrenicën, në mënyrë që të kemi kujtesë historike të vazhdueshme, Lynk nënvizoi se situata e palestinezëve mund të konsiderohet si rezultat i efektit të valës së holokaustit.

Ai tha se drejtësia nuk mund të përmbushet plotësisht derisa të sigurohet edhe për palestinezët. “Siç ka thënë filozofja gjermane, Hannah Arendt, krijimi i një shteti hebre në Izrael për të zgjidhur problemin hebre dhe për t’u paguar çmimin hebrenjve evropianë do të krijojë një tjetër kategori refugjatësh”.