Qeveria nuk lejon zgjedhjet serbe në Kosovë, OSBE-ja përkrah format e mëparshme të procesit

Shpërndaje

Serbëve që jetojnë në Kosovë do t’ju duhet t’ia mësyjnë Serbisë nëse duan të votojnë në zgjedhjet që do të mbahen më 17 dhjetor. Kjo pasi Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë zhvillimin e këtij procesi zgjedhor. Serbia nuk ka pranuar kushtin e kryeministrit Albin Kurti për marrëveshje paraprake dhe ka njoftuar komisionin e saj zgjedhor se në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje. Qeveria nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë më 17 dhjetor. Të mërkurën, nga ekzekutivi përsëritën qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti se në mënyrë që ky proces të zhvillohet, duhet arritur paraprakisht marrëveshje me Serbinë.

Nga Zyra e Kryeministrit njoftuan se të martën Kurti ka takuar shefin e OSBE-së, Michael Davenport, katër ditë pasi në mënyrë zyrtare e njoftoi për vendimin.

“Sa i përket kërkesës së Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti theksoi se, siç ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndërshtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, ka deklaruar Zyra e Kryeministrit.

Në letrën që Kurti ia dërgoi Davenportit më 17 nëntor ka përmendur mundësinë e votimit pranë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë. Por, në OSBE nuk e kanë përkrahur këtë mundësi.

Në një përgjigje për KOHËN, në këtë mision përmendën gatishmërinë për të ndihmuar zhvillimin e procesit, por vetëm sikurse në rastet e mëparshme. “Ne mund të konfirmojmë se kemi marrë letrën e kryeministrit Kurti në lidhje me zgjedhjet serbe. Siç e kemi bërë të qartë edhe më parë, në parim Misioni mbetet i gatshëm që të mbështesë mbledhjen e votave, por vetëm me të njëjtat kushte si në rastet e mëparshme. Me fjalë të tjera, vetëm nëse sigurohet një ambient konsensual, nëse kemi bashkëpunim nga të gjitha autoritetet relevante në Kosovë dhe nëse garantohet mbështetje e nevojshme e sigurisë nga Policia e Kosovës, si reaguese e pare”, ka deklaruar Zyra për Informim e OSBE-së.

Sipas praktikave të mëhershme, serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe votat janë grumbulluar nga OSBE-ja e janë dërguar në Rashkë e Vranjë për numërim. E kushtin e vënë nga Kurti nuk e kanë pranuar në Serbi, për çka shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se zgjedhjet nuk do të mbahen në territorin e Kosovës. Në letrën që Petkoviqi ia ka përcjellë Komisionit Zgjedhor të Serbisë, thuhet se Kurti ka kushtëzuar mbajtjen e zgjedhjeve me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ju njoftojmë se aktualisht nuk është e mundur të zbatohet procedura zgjedhore në territorin e Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, në mënyrë që do të ishte në përputhje me rregulloret ligjore, si dhe me interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Serbisë. Arsyeja është se Regjimi i Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, në krye me Albin Kurtin, e kushtëzon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve me njohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Kosovë nga Beogradi”, ka thënë Petkoviq. Serbët për herë të fundit kanë votuar në Kosovë më 2020. Më 2021 për zgjedhjet parlamentare dhe më 2022 për ndryshime kushtetuese nuk u lejuan.