BotaTop Lajme

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën që kërkon armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza

Shpërndaje

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) me një shumicë dërrmuese ka miratuar një projekt-rezolutë që kërkon një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza, transmeton Anadolu.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e përbërë nga 193 anëtarë, u mblodh për një seancë të posaçme urgjente për Palestinën, ndërsa rezoluta jo-detyruese, e paraqitur nga Egjipti me mbështetjen e afër 100 vendeve, përfshirë Türkiyen, kaloi me 153 vota pro.

Dhjetë vende, përfshirë SHBA-në, Izraelin dhe Austrinë, votuan kundër rezolutës, ndërsa 23 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë dhe Ukrainën, abstenuan nga votimi.

Përveç kërkesës për armëpushim, rezoluta shpreh shqetësim të madh për “situatën katastrofike humanitare” në Rripin e Gazës dhe vuajtjet e civilëve palestinezë.

Ajo gjithashtu theksoi se popullsia civile palestineze dhe izraelite “duhet të mbrohen” në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, duke kërkuar nga të gjitha palët që të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë ligjin ndërkombëtar humanitar veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e civilëve.

Projekt-rezoluta gjithashtu kërkon “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” të të gjithë pengjeve, si dhe sigurimin e qasjes humanitare.

Rezoluta po ashtu iu referua qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së dhe rezolutave në lidhje me çështjen e Palestinës.

Duke kujtuar të gjitha rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, rezoluta po ashtu përmendi thirrjen nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, të nenit 99 të Kartës së OKB-së për herë të parë që kur ai mori postin kryesor të organizatës në vitin 2017 për vendosjen e një armëpushimi.

SHBA-ja propozoi një ndryshim në rezolutë për të dënuar grupin palestinez Hamas për sulmin e tij të 7 tetorit ndaj Izraelit, ndërsa Austria propozoi sqarimin se pengjet “mbahen nga Hamasi dhe grupe të tjera”. Të dy propozimet u refuzuan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Kjo erdhi pasi SHBA-ja vuri veton ndaj një projekt-rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm për të ndalur gjakderdhjen e vazhdueshme në Rripin e Gazës, ndërsa numri i të vdekurve vazhdon të rritet.
Në muajin tetor, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi në favor të një projekt-rezolute që bën thirrje për një “armëpushim humanitar të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm që çon në një ndërprerje të armiqësive” me 121 vende në favor dhe 14 vende kundër, duke përfshirë SHBA-në, si dhe 44 vota abstenim.

Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por ato kanë peshë politike.