Dalin fotot nga brenda “Rajska Banjës”, kompleksit luksoz që u mor në dorë nga AKP-ja

Shpërndaje

Kompleksi ‘Rajska Banja’ që gjendet në Banjskë të Zveçanit tashmë është në duart e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kjo e fundit e riktheu në posedim dje, përmes asistencës së Policisë së Kosovës.

Nga AKP-ja bënë të ditur se pronën, e cila i takon Ndërmarrjes Shoqërore Trepça Standard, do t’ia lëshojnë me qira Ministrisë së Punëve të Brendshme. Por, çfarë ka në këtë kompleks? Nga uebfaqet që mbështesin turizmin në Zveçan, ‘Rajska Banja’ përshkruhet si kompleks shëndetësor që përmban sauma dhe hapësira trajtimi, kompleks të pishinës, ambiente shoqëruese, hotel, restorant dhe apartamente akomoduese.

Qendra e “SPA&Wellness” ka pishinë me ujë të sanitizuar, pishinë gjysmë të mbyllur me ujë termal, sauna, banjë me avull, dhoma me vaskë hidromasazhi dhe shtretër masazhi termal, si dhe bar kafe, raporton Insajderi.

Ndërkaq, në hapësirë të hapur ka pishinë me ujë termal, pishinë, pishinë për fëmijë dhe ambiente përcjellëse, të cilat kanë kapacitetin e strehimit të 350 vizitorëve.

Ndërkaq, hoteli ka 14 njësi akomoduese, me gjithsej 40 shtretër.

Restoranti ndodhet brenda hotelit dhe ka 70 vende të lira për të ngrënë ushqim. Si pjesë e restorantit është edhe një tarracë. Tarraca ka hapësirë për 60 ulëse.

Kompleksi ‘Rajska Banja’ është i ndërtuar në zonën ku ka qenë Banja e Banjskës. Që nga viti 2006 është uzurpuar dhe ka kaluar në pronësi të Kishës Ortodokse Serbe. Ai është ndërtuar më 2015-ën përmes financave të Qeverisë së Serbisë, saktësisht të së ashtuquajturës Zyrës për Kosovën.

SNS, partia e presidentit aktual të Serbisë Aleksandar Vuçiq, e ka prezantuar si sukses të tyre ndërtimin e kësaj prone. Kostoja totale e ndërtimit të saj, sipas SNS-së, ka qenë shtatë milionë euro.

Ky kompleks është përkrahur në vazhdimësi nga pushteti i Vuçiqit. Kjo gjë vërehet edhe tek postimet e tyre në ‘Facebook’.

Në një postim të shkurtit të këtij viti, prezantoheshin produkte të ndryshme të kompleksit “figurave të ndryshme ndërkombëtare”. Në mesin e këtyre figurave ishte edhe drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Në vizitën e saj tetë orëshe (të parën dhe të vetmen) në Kosovë në shtator të vitit të kaluar, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e kishte vizituar këtë kompleks me kosto ndërtimi shtatë milionë euroshe.

Prezente me Bërnabiqin ishin edhe figura të larta të Listës Serbe. Vizita përshkruhej si “vizitë zyrtare” nga “Rajska Banja’.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka marrë nën administrim kompleksin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit të martën, pasi prona i përket një ndërmarrjeje shoqërore të Kosovës.

Të njëjtin ia ka lëshuar me qira Ministrisë së Punëve të Brendshme, i ka thënë REL-it drejtori menaxhues i kësaj agjencie, Arben Limani.

“Bordi i drejtorëve [të AKP-së], me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme [të Kosovës], për nevoja dhe interes publik të Ministrisë, ka marrë vendim që këto objekte të jepen me qira për shërbime të MPB-së. Pra, për shërbimet e tyre publike për të cilat ne nuk kemi ndonjë informatë”, tha Limani, duke shtuar se vendimi u mor në mbledhjen e mbajtur më 14 dhjetor.

Limani tha se për një periudhë kohore AKP ka tentuar që të kontaktojnë me personat apo entitetet që e kanë shfrytëzuar këtë pronë, por nuk kanë marrë përgjigje, andaj kanë kërkuar asistencën e Policisë së Kosovës që ta marrin nën administrim këtë pronë, që gjendet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Në ambientet e këtij kompleksi, pas një sulmi ndaj Policisë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në shtator të këtij viti në Banjskë të Zveçanit, dy persona ishin arrestuar.

Në Kosovë ky kompleks është i regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në emër të Aleksandar Zllatkoviq.

Këtu mund ti shihni fotot brenda “Rajska Banjës”: FOTO