BotaTop Lajme

Erdogan: Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dërgojë mesazh të qartë Izraelit për t’i dhënë fund “masakrës”

Shpërndaje

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë kryesore për t’i dërguar një mesazh të qartë Izraelit dhe për t’i dhënë fund “masakrës” së vazhdueshme në Gaza, raporton Anadolu.

Në konferencën e përbashkët për media në Budapest me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, presidenti Erdoğan tha se që nga fillimi Türkiye ka bërë përpjekje intensive diplomatike për një armëpushim urgjent në Gaza dhe për të parandaluar përhapjen e konfliktit.

Erdoğan theksoi se Türkiye po punon për ndërprerjen e menjëhershme të “brutalitetit izraelit” në Gaza.

Sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi, kanë vrarë të paktën 19.453 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Lufta e ka lënë Gazën në gërmadha me gjysmën e banesave të territorit bregdetare të dëmtuara ose të shkatërruara dhe me pothuajse 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës me popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër.

Türkiye dhe Hungaria ngritin marrëdhëniet dypalëshe në partneritetin strategjik të zgjeruar

Gjatë vizitës së delegacionit turk në Budapest, të kryesuar nga presidenti Erdoğan, dy vendet nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi prej 17 nenesh për të ngritur marrëdhëniet në nivelin e partneritetit strategjik të zgjeruar.

Presidenti Erdoğan tha se Türkiye dhe Hungaria i kanë ngritur marrëdhëniet e tyre dypalëshe nga një partneritet strategjik në një partneritet strategjik të zgjeruar.

“Me deklaratën e përbashkët politike të nënshkruar me Orban-in, ne i kemi ngritur marrëdhëniet tona dypalëshe nga një partneritet strategjik në një partneritet strategjik të zgjeruar”, tha Erdoğan.

Siç theksoi ai, dy vendet planifikojnë të rrisin tregtinë dhe investimet e tyre duke organizuar në muajt e ardhshëm në Türkiye takimin e parë të Komitetit të Përbashkët Ekonomiko-Tregtar.

“Türkiye dhe Hungaria synojnë të forcojnë më tej lidhjet në fusha të tilla si industria e mbrojtjes dhe energjia, ku tashmë kemi bashkëpunime produktive”, tha Erdoğan.

Presidenti turk njoftoi se me kryeministrin hungarez diskutuan çështjet e fundit, përfshirë marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Bashkimit Evropian (BE), si dhe zhvillimet në Ukrainë dhe Gaza.

“Jam i kënaqur me Hungarinë, e cila do të marrë presidencën e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2024, duke theksuar fuqishëm mbështetjen e saj për anëtarësimin tonë të plotë në BE”, tha presidenti Erdoğan.

Duke iu referuar bisedimeve të paqes në Istanbul mes Ukrainës dhe Rusisë në vitin 2022, Erdoğan tha se Türkiye është e gatshme të ringjallë procesin e Istanbulit nëse ka një kërkesë nga palët.

Orban vlerëson Türkiyen si komb të vetëm për arritjen e rezultateve në luftën Rusi-Ukrainë përmes marrëveshjes së drithërave

Kryeministri Orban, nga ana tjetër, tha se Türkiye është i vetmi vend që ka arritur rezultate në përpjekjet në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë përmes marrëveshjes së drithërave që ndihmoi në ndërmjetësim vitin e kaluar.

Ai foli edhe për marrëdhëniet midis Hungarisë dhe Türkiyes.

“Ne kemi avancuar marrëdhëniet Türkiye-Hungari në nivelin e partneritetit strategjik të zgjeruar. Nuk e di nëse ka diçka përtej kësaj në aspektin diplomatik. Besoj se kjo është më e forta në aspektin e miqësisë dhe vëllazërisë”, tha Orban.

Orban gjithashtu theksoi se Hungaria pa Türkiyen nuk ka siguri. Duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe, ai tha se Erdoğan paraqiti një projekt monumental për shekullin e ardhshëm.

“Shekulli i ardhshëm do të jetë i juaji (Türkiyes). Ne besojmë në këtë dhe kemi bërë marrëveshje”, tha Orban.