Përkthehet raporti i ekspertëve gjermanë për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, prokurorët nisin shqyrtimin

Shpërndaje

Në Prokurorinë e Tetovës ka mbërritur përkthimi i raportit të ekspertëve gjermanë lidhur me djegien e spitalit modular në Tetovë në 8 shtator të vitit të shkuar. Siç mëson televizioni Alsat nga burimet e veta brenda prokurorisë, edhe në raportin e ekspertëve gjermanë qëndron se shkak për përhapjen e zjarrit në modularin e Tetovës, mund të ketë qenë kablloja zgjatuese në të cilën ka qenë e kyçur një pajisje mjekësore për trajtimin e pacientëve.

Raporti, sipas prokurorisë, iu është shpërndarë për analizë pesë prokurorëve të përfshirë në hetimin e lëndës, me çka, pas analizimit të të njëjtit, prokurorët, do të ulen bashkë për të parë nëse nga ky raport do del mendim juridik, që ka të bëjë me hapjen apo jo të pistave të reja të hetimit, apo do të vazhdohet me hetimet e njëjta që prokurorët vendas kanë kryer deri më tani. Mbledhja e prokurorëve pritet të mbahet brenda javës, pas çka do të dilet edhe me konkluzat.

Prokuroria e Tetovës nuk dha më shumë detaje për atë se çka përmban raporti i përkthyer, me arsyetimin se, i njëjti është pjesë e hetimit të lëndës, ndërsa nga prokuroria thonë se raporti i ekspertëve gjermanë është tejet i rëndësishëm sepse, nga ky raport do të mund të hapen edhe pista të reja hetimi.