BotaTop Lajme

Izraeli shkatërroi 80 për qind të automjeteve të Mbrojtjes Civile dhe pajisjeve të shpëtimit në Gaza

Shpërndaje

Ushtria izraelite ka shkatërruar rreth 80 për qind të automjeteve të Mbrojtjes Civile dhe pajisjeve të shpëtimit në Rripin e Gazës së bllokuar, raporton Anadolu.

Zyra për media të Qeverisë në Gaza njoftoi se automjetet dhe pajisjet e ekipeve të Mbrojtjes Civile, auto-ambulancat dhe ekipet e shpëtimit ishin gjithashtu në shënjestër të sulmeve brutale izraelite.

Më tej thuhet se për këtë arsye, aktivitetet e shpëtimit të njerëzve nën rrënoja kryhen me burime të kufizuara.

Në deklaratë thuhet se ekipet e shpëtimit nuk mundën të arrinin në të gjitha zonat e masakrës sepse Izraeli bombardoi dhe shkatërroi shumicën e automjeteve të shpëtimit si dhe për shkak të mungesës së karburantit në automjetet e mbetura.

“Situata humanitare në rajon ka arritur një nivel katastrofik dhe ushtria okupuese ka bombarduar sërish dhjetëra shtëpi”, thuhet në deklaratë.

Theksohet se “forcat okupatore izraelite, por edhe komuniteti ndërkombëtar, kryesisht administrata amerikane e udhëhequr nga presidenti amerikan Joe Biden dhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, janë përgjegjës për gjenocidin sepse i dhanë ‘dritën e gjelbër’ Izraelit”.