Komuna e Zhelinës shënon 27 vjetorin e konstituimit të parë të Këshillit komunal

Shpërndaje

Sot Komuna e Zhelinës shënon 27 vjetorin e konstituimit të parë të Këshillit komunal. Transparenca dhe llogaridhënia ende ngelen parimet bazë të punës sonë. Sot, ballafaqohemi me sfida të reja dhe nivele tjera të përkushtimit tonë.

Fjalimi i Kryetarit të Komunës:
Të nderuar ish-kryetarë të komunës së Zhelinës,
të nderuar ish-kryetarë të këshillit të komunës së Zhelinës,
I nderuar kryetar aktual dhe këshilltarë të komunës së Zhelinës,
E nderuara administratë e komunës së Zhelinës,
Të nderuar drejtorë të shkollave dhe ju arsimtarë,
Të nderuar imamë,
Të nderuara media,
Të nderuar qytetarë dhe mysafirë,

Sot Komuna e Zhelinës shënon 27 vjetorin e konstituimit të parë të Këshillit komunal.Transparenca dhe llogaridhënia ende ngelen parimet bazë të punës sonë. Sot, ballafaqohemi me sfida të reja dhe nivele tjera të përkushtimit tonë.
Edhe pse sot është ditë festive, ne nuk duhet të harrojmë faktin se gjatë mandatit tonë u goditëm me krizën më të ashpër globale që kishte parë syri i njeriut, si ajo e Covid-19 që paralizoi krejt institucionet tona e më vonë dhe me fillimin e luftës në Ukrainë ne ishim përsëri viktimë e godtjes, kësaj radhe me shtrenjtimin e energjisë elektrike, që kjo e fundit vetëm për një vit e detyroi komunën tonë me mbi 200.000 euro borxh ndaj EVN, edhe atë pa dëshirën dhe vullnetin tonë. Këta efekte negative të luftës në Ukraninë dhe sidomos të Covid19 ndoshta nga shumica e juaj janë harruar, por efektet e krizës që shkaktuan këta dy momente, ende jemi duke i rikuperuar edhe sot.

Të dashur të pranishëm,
kjo krizë goditi jo vetëm të hyrat e komunës por edhe procesin edukativo-arsimor nëpër shkollat tona, duke krijuar krizë të thellë në NPK, si në dhe bizneset e caktuara.
Të nderuar,
Tashmë 6 vite në detyrë si kryetar i komunës së Zhelinës, e filloj punën me po të njëjtin entuziazëm ashtu siç jam betuar edhe në fillim, me të vetmin synim, që të sjellë ndryshimin në Zhelinën e qytetarëve të mi, atyre që më lejuan të shërbej si kryetar i kësaj komune. Që nga momenti kur kemi shpalosur prioritetet, jemi zotuar se do të punojmë për jetësimin dhe administrimin e projekteve të rëndësishme në komunën e Zhelinës, për një qeverisje dhe shërbim sa më efikas për qytetarët. Sfidat e menaxhimit dhe qeverisjes kërkonin një transformim të thellë institucional, instalim të një klime të re brenda komunës,ndërsa qytetarëve t’u kthehet shpresa se me vullnet të mirë, bashkërisht do të punohet për të mirën e këtij vendi. Në vend të inateve e dallimeve politike, deshtëm që të zëvendësojmë me dallime në ide dhe projekte për qytetarët tanë, ta vëndojmë ne rend të parë interesin e qytetarit e jo individit apo grupit të caktuar, me qëllim të eliminimit të çfo bindje që na ngulfat e na mba të pazhvilluar. Prioritet i ynë ka qenë dhe do mbetet realizimi i projekteve prioritare apo përmbushja e objektivave që kemi premtuar në programin tonë 2021-2025.

Një nga objektivat kryesore ka qenë dhe mbetet përmirësimi i infrastrukturës shkollore dhe infrastrukturës rrugore, por mos e harruar edhe infrastrukturën nëntokësore.
Por, nuk jemi mjaftuar me kaq, synimi ynë ka qenë ngritja e imazhit të komunës së Zhelinës në nivele tjera, pra mos të merremi me vetëveten por të konkurojmë me të tjerët, pra me më të mirët. Dhe ashtu kemi vepruar, sot komuna e Zhelinës përsëri rangohet ndër komunat me performancë më të mirë në Maqedoninë e Veriut, dhe këtë nuk e themi ne por raportet e analizave të institucioneve ndërkombëtare si USAID, Banka Botërore dhe UNDP.

Qytetarin e kemi në fokus të parë, në çfar kushtesh jeton dhe standardi jetësor. Por nuk duhet harruar se, shumica e kompetencave nuk u është dhënë komunave ende nga pushteti qendror. Ne për shumë problematika ende jemi të varur nga pushteti qëndror dhe jo rastësisht ne si shtet kemi notat më të kqija nga Komisioni Evropian. Procesi i decentralizimit ka ngelur në vend dhe nuk ka asnjë progres, dhe pa delegimin e kompetencave nga pushteti qëndror në atë lokal nuk do të krijojmë standardin jetësor që duam dhe mirëqenie të qytetarëve tanë.
Jeta bëhet në komuna, në pushtetin lokal, e jo në atë qendror. Edhe kryeministër qofsh, kryetar parlamenti apo diçka tjetër, ti në fund të ditës do të shkosh në komunën tënde dhe aty do ballafaqohesh me realitetin, me insfrastrukturën dhe me kërkesën tënde si qytetar.

Sot, nxënësit e shkollës “Fan Noli” Pallaticë, Trebosh dhe Uzurmisht, kanë kushte tjera në arsim. Pasi renovuam tërësisht shkollën në Pallaticë, ndërtuam fushë sporti në shkollën e Treboshit dhe fushë sporti në shkollën e Uzurmishtit. Sot shkolla “Rametulla Ameti”, në Çiflik ka kushte shumë më të mira.

Nxënlsit e shkollës “Luigj Gurakuqi” në Leshnicë të epërme kanë sistem të nxehjes qëndrore, shkolla qendore “Luigj Gurakuqi” në Zhelinë është e rinovuar me dysheme të reja, banka dhe karige të reja, dyer e dritare të reja, Ndërkaq, rindërtuam tërësisht të re shkollën fillore “Ibrahim Temo”-Strimnicë, si dhe ndërtuam shkollë të re në Cerovë dhe Leshnicë të poshtme.
Në shkollën “Pashko Vasa” në Kapazhdoll është nis fusha e sportit e cila do të përfundoje së shpejti.

Shkollat që kemi në plan ti renovojmë gjatë vitit 2024 janë shkolla në fsh.Trebosh dhe shkolla fsh.Dëbërcë.
Do vazhdojmë me rikonstuimin përfundimtar të brendshëm në shkollën e fsh.Çiflik, Merovë, Sallarevë dhe Llërcë dhe me këtë do i përmbyllim të gjitha kërkesat e shkollave dhe vërtet kjo do të jetë një e arritur e madhe dhe këtë rezultat suksesi jua përkushtoj të gjithë juve.

Në aspekt të infrastrukturës rrugore, pasi pëmbyllëm asflatimin e rrugëve në Grupçin, Novosellë, Trebosh-Tetovë, Strimnicë brenda në fshat, qendër mëhalla e epërme dhe nga dalja e fshatit në Falisht, Llërcë, Çiflik, Llukovicë, dhe Dëbërcë kah varrezat, do të vazhdojmë me rrugët që i kemi fituar nga Banka Botërore dhe institucionet tjera brenda dhe jashtë shtetit janë: Rruga kah varrezat në Trebosh, rruga ka mëhalla e quajtur “gomushat” në Trebosh, rruga në Zhelinë 2-A, gjysma e Bulevardit në Zhelinë, gjysma e rrugës në Kapazhdoll dhe rruga në Pallaticë Uzurmisht.
Kemi projektuar edhe rrugët Çiflik-Dëbërcë, dhe rrugën lokale në Leshnicë, Llërcë e Dëbërcë.

Rruga në Pallaticë sidomos aksi rrugor Pallaticë Zhelinë dhe gjysma tjetër e Bulevardit, nuk janë të miratuara nga Banka Botërore dhe Qeveria. Për këta rrugë do të kemi trajtim të veçantë si Komunë e Zhelinës.

Arritëm të zgjidhim problemin e rrjetit të kanalizimit në disa vendbanime, si dhe instalim të rrjetit të ujësjellësit në zonat kyçe. Më gëzon fakti që ndërtuam rrjetin e kanalizimit fekal dhe sistemin e ujësjellësit në zonën industriale në Zhelinë, duke zgjidhur problemin e ujit të pijshëm për banorët e fshatit Zhelinë. Përveç kësaj, instaluam sistem të klorimit të ujit të pijshëm në Zhelinë dhe Strimnicë dhe rrjet të ujësjellësit e kanalizimit në Kapazhdoll.

Sa i përket kulturës dhe festivaleve kulturore do të vazhdojmë të promovojmë kulturën dhe traditën tonë, ashtu siç e nisëm dhe ishim të detyruar të ndalojmë për shkak pandemisë.
Bashkë me ekipin e komunës dhe kabintetit, jemi të angazhuar maksimalisht për të sjell ndryshimin në Zhelinën tonë. Do të vazhdojmë me vendosshmëri dhe përkushtim të përmbushim obligimet tona, të jemi më afër qytetarëve, dhe me punë intenzive të korrim suksese të përbashkëta. Së bashku do e ndërtojmë të ardhmen.

Të nderuar,
Ne po punojmë për të ardhmen duke e ndërtuar atë sot, në çdo angazhim dhe në çdo veprim tonin dhe, në këtë përvjetor të Komunës, por edhe më tutje, do dëshmojmë përkushtimin tonë për t’iu shërbyer qytetarëve.
Ky 27 vjetor le të na shërbej që të ecim bashkërisht në rrugën tonë drejtë realizimit të shumë projekteve që i kemi fituar tashmë, dhe atyre që jemi në procedurë e sipër. Të punojmë çdo ditë që ta bëjmë komunën tonë më të mirë, më të bukur dhe më të përparuar.
Ta gëzojmë 27 vjetorin e Themelimit të komunës dhe Konstituimit të Këshillit të parë të Komunës së Zhelinës.
Pritshim edhe shumë përvjetore të tjera bashkarisht!
Ju faleminderit, Gëzuar!
18.12.2023, Zhelinë