Më 14 dhjetor Shqipëria hap negociatat për anëtarësim në BE?

Shpërndaje

Këshilli Europian pritet të vendosë në mes të dhjetorit çeljen e kapitujve të parë të bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, shkruan TV21.

Procesi i diskutuar javën e fundit orë pas ore në instancat europiane por edhe në media, u përmbyll pozitivisht për Shqipërinë pasi fqinji jugor i saj Greqia u refuzua nga Bashkimi Europian që të ngrejë veto për këtë hap.

Mes termave të një edhe fushate zgjedhore, mediat greke i mëshuan refuzimit të qeverisë greke për letrën e përbashkët që duhet të hartonin 27 vendet anëtare që të ftonin Shqipërinë në këtë proces, madje edhe një ditë pasi letra ishte firmosur edhe nga vetë Greqia dhe ishte nisur.

Shtetet e fuqishme e paralajmëruan në fakt qëndrimin ndaj Greqisë në deklarata publike si Kancelari Sholz kur u shpreh në konferencë shtypi me kryeministrin grek në Berlin se ai ka qenë vazhdimisht në vite ndërmjetësues dhe përfaqësuese i linjës europiane që çështjet dypalëshe mes vendeve të mos kushtëzojnë proceset e anëtarësimit por edhe bashkëjetesës brenda BE-së.

Ky paralajmërim, sa dhe ai i Suedisë përmes televizionit publik, por ditët e fundit dhe i Spanjës që e shihte procesin si pjesë të produktit të presidencës së saj europiane, u bë real në tryezën e përfaqësuesve të lartë të vendeve anëtare në BE, kur vetoja greke u zhvlerësua si e paargumentuar ligjërisht për rastin e Shqipërisë.

Pas mbylljes së screeningut ku hyn edhe kapitulli i marrëdhënieve me jashtë që në fakt ka qenë ai i shqyrtuar me kohën më të shkurtër për Shqipërinë, pretendimet për shkelje në kontekstin europian nuk mund të ngrihen për këtë fazë.

Kjo përgjigje e Bashkimit europian ndaj një vendi anëtar si Greqia e cila ka hyrë vetë me një procedurë të përshpejtuar nga garancia që ofroi Franca, sinjalizon një frymë të re në procesin e zgjerimit i bllokuar prej mëse 15 vitesh kur u pranuan anëtarët e rinj të fundit në bllok.

Zyrtarizimi i çeljes së kapitujve do të duhet të ndiqet nga një mbledhje e dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE, mbajtja e së cilës do të mësohet pikërisht pas deklarimit publik nga ana e Bashkimit Europian.