MFPT dhe KOSTT nënshkruan marrëveshje me vlerë 25.5 milionë euro për përmirësim të rrjetit të transmisionit të energjisë nga KOSTT

Shpërndaje

Në ceremoninë e nënshkrimit ishin prezent Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Hekuran Murati, Zëvendës Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Z. Matthias Conrad, Zëvendësministri i Ekonomisë Z. Getoar Mjeku dhe Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT Z. Evetar Zeqiri.

Në fjalën e tij hyrëse, Ministri Murati theksoi rëndësinë e këtij projekti duke thënë se “projekti parasheh investime në zëvendësimin e nënstacioneve të linjave kyçe të tensionit për operim të sigurtë e të qëndrueshëm të sistemit të transmisionit të energjisë nga KOSTT”.

Zëvendës Ambasadori Conrad deklaroi se “projekte si ky për përmirësimin e rrjetit të transmisionit janë të rëndësishëm për integrimin e Kosovës në tregjet e energjisë së Bashkimit Evropian”.
Në këtë linjë, Zëvendësministri Mjeku shprehu se “përkrahja e ofruar për KOSTT mundëson që kostoja e energjisë të jetë e përballueshme për qytetarët duke i kontribuar edhe procesit të dekarbonizimit”.

Se ky projekt është shumë i rëndësishëm u pajtua edhe Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT i cili tha se “përmes projektit mundësohet integrimi i një kapaciteti shtesë të energjisë në Deçan, zëvendësimi i transmetuesve ashtu që të zvogëlohet ngarkesa si dhe dixhitalizimi i shërbimeve të ofruara nga KOSTT”.

Duke nënvizuar mundësitë për bashkëpunim në projekte tjera të përbashkëta për zhvillimin e sektorit të energjisë, palët më pas proceduan me nënshkrim të marrëveshjes.